Bota Celebrities Showbiz

“Do të divorcohen pas 10 vitesh”, fqinjët debatojnë për vilën e Taylor Swift dhe Travis Kelce në Ohio: Kafshëve u duhen vende për t’u çiftuar!

Planet e Taylor Swift dhe bashkëshortit të saj, Travis Kelce, për transformimin e pronës së tyre luksoze në Ohio kanë shkaktuar debate mes banorëve të zonës. Disa fqinjë kundërshtuan vendosjen e shkurreve të larta përreth vilës, duke argumentuar se ndryshimet në peizazh mund të dëmtojnë jetën e egër dhe habitatin e kafshëve.

Megjithatë, në fund, çifti i famshëm arriti të marrë miratimin për projektin e rishikuar të sistemimit të hapësirave të jashtme.

Mbledhja e Bordit Lokal të Rishikimit Arkitekturor u zhvillua të martën në qendrën komunitare të Bratenahl, Ohio, ku morën pjesë rreth 35 persona. Disa banorë shprehën shqetësimin për vendosjen e shkurreve me lartësi rreth 3 metrash, të cilat synojnë të garantojnë më shumë privatësi për pronën e çiftit, shkruan “Page Six”.

Një prej banoreve, Lucy Weller, argumentoi se projekti duhej të merrte më shumë në konsideratë nevojat e kafshëve dhe specieve vendase.

“Ja një mundësi e shkëlqyer që njerëzit me para t’i investojnë ato për ta sjellë këtë shtëpi në nivelin që meriton. Mendoj se kjo është një mundësi e mrekullueshme që kjo palë të rikthehet dhe të mësojë pak më shumë për speciet vendase dhe projektimin e hapësirave që marrin parasysh nevojat e kafshëve në këtë zonë”, deklaroi Weller.

Ajo kundërshtoi veçanërisht krijimin e hapësirave me bar dhe mungesën e elementeve natyrore për faunën.

“Atyre nuk u duhen lëndina; u duhen ushqim, strehim dhe vende për t’u çiftuar. Nuk mendoj se ky projekt peizazhi bën asgjë për të mbrojtur jetën e egër”, u shpreh banorja.

Edhe Chuck Bauernschmidt, i cili tha se jeton dy shtëpi larg çiftit të famshëm, shprehu kundërshtimin e tij.

“Më vjen keq për komunitetin tonë. Kjo nuk do të jetë e hapur. Ky është një pyll dhe nuk jam i sigurt pse bordi po shkon në këtë drejtim. A po veproni kundër rregulloreve? Mos e kam gabim? Nuk besoj se e kam”, deklaroi ai.

Taylor Swift dhe Travis Kelce nuk ishin të pranishëm në mbledhje. Interesat e tyre u përfaqësuan nga administratori i pronës, Patrick Hyland, arkitekti Derek Kuryla dhe menaxheri i projektit, Jacob Kutz.

Megjithatë, jo të gjithë banorët ishin kundër ndryshimeve. Vasiliki Diamantis mbështeti vendimin e çiftit për të zgjedhur Bratenahl si vendbanim dhe u bëri thirrje banorëve që t’i mirëpresin ata.

“Ne duhet të ndihemi të privilegjuar që këta njerëz, të cilët kanë mundësi financiare, kanë zgjedhur këtë vend për banesën e tyre. Në vend që të debatojmë për peizazhin dhe privatësinë, duhet të bashkohemi si komunitet dhe ta shohim këtë si një mundësi. Sa bukur që kanë zgjedhur Bratenahl, sepse Bratenahl është një vend i veçantë”, deklaroi Diamantis.

Ndërkohë, një pjesëmarrës tjetër shkaktoi reagime negative kur e cilësoi të gjithë debatin si “budallallëk”, duke parashikuar se prona do të shitet pas shtatë apo dhjetë vitesh, kur çifti të divorcohet. Komenti i tij u prit me protesta dhe vërshëllima nga të pranishmit.

Në përfundim të mbledhjes, plani i rishikuar i Taylor Swift dhe Travis Kelce u miratua unanimisht. Projekti përfshin vendosjen e shkurreve me lartësi rreth 3 metrash dhe përditësimin e punimeve me tulla në pronë.

Në shtator, çifti kishte marrë gjithashtu miratimin për ndërtimin e një gardhi privatësie rreth 1.8 metra të lartë, vendim që në atë kohë kishte shkaktuar kundërshtime nga disa banorë.

Këngëtarja 14 herë fituese e çmimit Grammy dhe ylli i Kansas City Chiefs, Travis Kelce, u martuan në korrik, ndërsa në mars kishin blerë rezidencën luksoze në Ohio, e cila kushtoi 5.35 milionë dollarë. Prona ka tetë dhoma gjumi dhe 11 banjo. Në shtator, sipas raportimit ekskluziv të Page Six, çifti kishte marrë masa të shtuara sigurie për mbrojtjen e banesës.

Megjithatë, sipas burimeve të cituara nga mediat, Taylor Swift dhe Travis Kelce nuk planifikojnë ta përdorin këtë vilë si vendbanimin e tyre kryesor. Këngëtarja zotëron gjithashtu prona në Rhode Island, Beverly Hills, Nashville dhe New York.