
Ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Aleksandër Darçiev, ka ndërruar jetë në moshën 66-vjeçare. Lajmin për vdekjen e ambasadorit rus në SHBA e dha të mërkurën Ministria e Jashtme ruse. Sipas institucionit, diplomati i lartë vdiq papritur, ndërsa shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.
Ministria e Jashtme ruse e ka cilësuar humbjen si të madhe për diplomacinë e vendit. Lajmin e ka bërë me dije vetë ministria përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social X. Në të shprehet se Darçiev u nda nga jeta befas, pa dhënë më shumë hollësi mbi rrethanat e vdekjes së tij.
Ajo e ka përshkruar Darçievin si një diplomat të shquar, një udhëheqës me përvojë, një koleg të dashur dhe një mentor për shumë prej kolegëve të tij. Në deklaratë theksohet gjithashtu se institucioni i shpreh ngushëllimet më të thella familjes dhe të afërmve të ambasadorit. Darçiev kishte mbajtur disa poste brenda Ministrisë së Jashtme ruse përpara se të emërohej ambasador në Uashington në fillim të vitit 2025.
Ai zëvendësoi në këtë detyrë Anatoli Antonov. Emërimi i tij erdhi pak kohë pas zgjedhjes së Donald Trump si president i Shteteve të Bashkuara. Diplomati kishte shërbyer më parë në ambasadën ruse në Uashington në fund të viteve 2000.
Ai kishte qenë ambasador i Rusisë në Kanada për gjashtë vjet, nga viti 2014 deri në vitin 2021. I njohur si një diplomat veteran i emëruar nga presidenti Vladimir Putin, Darçiev ishte bërë i njohur për kritikat e tij të përsëritura ndaj Perëndimit. Vdekja e tij vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit po përpiqen të rivendosen pas tensionimit që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022. Në atë kohë, Darçiev e kishte cilësuar veprimin rus si një masë të domosdoshme.
