U kapën me 19 kg lëndë narkotike në afërsi të Kosturit, arrestohet çifti shqiptaro-grek

Policia greke ka sekuestruar 18.8 kilogramë marijuanë në një operacion antidrogë në zonën e Kosturit, ndërsa në pranga kanë përfunduar një 34-vjeçare greke dhe një 38-vjeçar shqiptar.
Arrestimi i tyre u krye mbrëmjen e djeshme nga oficerët e Departamentit të Narkotikëve të Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Kostur, pas shfrytëzimit të informacioneve për transportimin e një sasie lënde narkotike.
Gjatë operacionit, policia pikasi një automjet që po lëvizte në mënyrë të dyshimtë. Në timon ndodhej 34-vjeçarja greke, ndërsa në sediljen e pasagjerit ishte shqiptari 38-vjeçar.
Gjatë kontrollit të automjetit, efektivët gjetën dy çanta udhëtimi me 18 pako marijuanë, me një peshë totale prej 18 kilogramësh e 800 gramësh.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan droga, automjeti që përdorej për transportimin e saj, dy telefona celularë dhe dy karta SIM.
Hetimet për rastin po kryhen nga Departamenti i Narkotikëve në Kostur. Dy të arrestuarit, ndaj të cilëve është ngritur çështje penale, do të paraqiten përpara Prokurorisë së Gjykatës Penale të Kosturit.
Mbi 1.3 ton marijuanë të sekuestruara në Greqi në 15 muaj
Kapja e fundit vjen në një periudhë kur është vënë re riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Gjatë 15 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.3 ton marijuanë në Igumenicë, Janinë, Kostur, Follorinë dhe Selanik.
Rastet më të shumta janë regjistruar në linjën Sarandë–Igumenicë, përmes së cilës dyshohet se është trafikuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së kapur në këto zona të Greqisë.
Në një prej operacioneve në Igumenicë, autoritetet greke kanë sekuestruar edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.




