Tahiri: Kosova ka mbetur pa agjendë të qartë evropiane, rrezikojmë të humbim edhe 131 milionë euro të tjera

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë për mungesën e progresit në procesin e integrimit evropian, menaxhimin e parasë publike dhe politizimin e administratës publike.
Në një reagim në Facebook, pas debatit për Raportin e Progresit, Tahiri ka thënë se Kosova ka mbetur pa një agjendë të qartë të integrimit evropian dhe se është vendi me progresin më të dobët në Ballkanin Perëndimor.
Ai ka theksuar se Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe se ka humbur dy vjet e nëntë muaj nën masat e Bashkimit Evropian.
Tahiri ka kritikuar edhe mungesën e një ministri apo zëvendëskryeministri përgjegjës për integrimin evropian, duke vlerësuar se ky proces nuk është prioritet real i Qeverisë.
Ndër çështjet e ngritura, ai ka përmendur edhe shpërndarjen e nga 100 eurove, vetëm 16 ditë para zgjedhjeve, të cilën e ka cilësuar si shqetësim serioz për përdorimin e resurseve publike për kalkulime elektorale.
Kritika ka adresuar edhe për politizimin e administratës publike përmes ushtruesve të detyrës dhe përkeqësimin e menaxhimit të parasë publike. Sipas Tahirit, zbatimi i rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit ka rënë nga 50 për qind në vitin 2021 në vetëm 36 për qind.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga ai është rreziku i humbjes së 131 milionë eurove të tjera nga Plani i Rritjes, pasi Kosova tashmë ka humbur 43.8 milionë euro.
Përballë kësaj situate, Tahiri ka kërkuar nga Qeveria tri veprime urgjente: emërimin e një ministri apo zëvendëskryeministri me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për integrimin evropian, avancimin e procesit të anëtarësimit drejt statusit të vendit kandidat dhe marrjen e të gjitha masave për të mos humbur 131 milionë eurot e tjera.
“Integrimi evropian nuk bëhet me deklarata, por me institucione funksionale, reforma konkrete, përgjegjësi dhe rezultate”, ka përfunduar Tahiri.



































