
”Ndërhyrja sot kaloi me sukses. Por beteja vazhdon”. Me këto fjalë, i riu Erjon Vishkulli ka ndarë me ndjekësit lajmin për përfundimin me sukses të një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale në Romë, ndërsa përpara e pret një tjetër sfidë e rëndësishme për të ardhmen e shikimit të tij.
28-vjeçari përmes një mesazhi të ndjerë, tregon se java e ardhshme do të jetë vendimtare, pasi pritet t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje, të cilën e cilëson si ndoshta më të rëndësishmen e gjithë këtij rrugëtimi. “Pas gjithë dhimbjeve dhe sfidave që kam kaluar, shpresa ime më e madhe është të rikthej dritën që dua të shoh në jetën time. Nuk e di çfarë më pret, por një gjë e di: nuk do të dorëzohem kurrë!”, shkruan Vishkulli.
Ai ka falënderuar të gjithë ata që janë pranë tij, që luten dhe besojnë në rikuperimin e tij, duke shprehur njëkohësisht besimin se do të gjejë forcën për të përballuar edhe këtë sfidë. Vishkulli ka kryer më herët një ndërhyrje kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë, e mundësuar edhe falë mbështetjes financiare prej 5 milionë lekësh të rinj nga qeveria.
Gjatë operacionit të parë, mjekët arritën të nxjerrin nga syri edhe trupin e huaj që kishte shkaktuar dëmtimin. Materiali i hequr pritet të sekuestrohet dhe t’i nënshtrohet ekspertizës, me qëllim përcaktimin e natyrës së tij, siç ka bërë të ditur më herët Prokuroria e Tiranës. Dyshimet paraprake janë se bëhet fjalë për një plumb gome, që mund të jetë përdorur gjatë përplasjeve në javën e parë të protestës. Megjithatë, përgjigjja përfundimtare pritet të përcaktohet nga ekzaminimet përkatëse.

