Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka folur për stilin e saj të veshjes dhe zgjedhjen për t’u paraqitur në publik me një pamje të thjeshtë, duke thënë se modestia nuk është një imazh që ka vendosur ta krijojë për shkak të detyrës zyrtare, por një mënyrë jetese që e ka shoqëruar që më herët.
Gjatë një interviste, ajo u pyet për veshjen e saj, e cila është vënë re shpesh si e përmbajtur, në kontrast me imazhin e disa zyrtarëve që, sipas intervistuesit, i kushtojnë rëndësi të veçantë markave dhe aksesorëve të shtrenjtë.
“Nuk e kam të zgjedhur, e kam të rritur”, u përgjigj Ibrahimaj, duke shpjeguar se edhe në periudhën kur ishte gjimnaziste dhe studente nuk është marrë më shumë seç duhej me paraqitjen e jashtme.
Ajo tregoi se ka pasur gjithmonë një stil më sportiv dhe se për në punë preferon të vishet sa më thjesht, kryesisht për arsye praktike, pasi orët e punës janë të gjata.
“Unë asnjëherë nuk jam mbajtur më shumë se ç’duhet, edhe kur kam qenë më e vogël, gjimnaziste, studente. Kam qenë njeri më sportiv. Për veshjen në punë, vishem sa më thjesht, me qëllim që të jem komode, se orët e punës janë shumë të gjata”, tha ministrja.
Ibrahimaj u shpreh se nuk i paragjykon kolegët apo koleget që zgjedhin të investojnë më shumë në pamjen e tyre, pasi kjo, sipas saj, është çështje karakteri dhe preference personale. Megjithatë, ajo theksoi se vlerësimi për një zyrtar duhet të lidhet me punën dhe mënyrën se si komunikon, jo me veshjen.
“Nuk i paragjykoj ata kolegë apo kolege që duan të mbahen, sepse u pëlqen të mbahen. Është çështje karakteriale. Për mua është e rëndësishme që njerëzit të më kenë në mendje jo për veshjen, por për çfarë them dhe për mënyrën se si komunikoj punën që ne bëjmë”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse është ndier ndonjëherë e paragjykuar në ambientin shqiptar për faktin se, si grua në një pozicion të lartë, nuk i kushton shumë rëndësi paraqitjes së jashtme, ministrja tha se nuk e ka përjetuar një gjë të tillë.
“Unë nuk e kam ndier ndonjëherë paragjykimin për shkak të veshjes. Jam veshur gjithmonë në një formë që është komode për mua. Mua më pëlqen vetja e veshur thjesht”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se, sipas saj, njerëzit duhet t’i vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve për atë që thonë dhe bëjnë, ndërsa veshja duhet të jetë në përputhje me rrethanat dhe komoditetin personal.
Në bisedë u përmend edhe krahasimi me figurën e Nënë Terezës, si shembull i një personi që ka pasur ndikim të madh përmes punës së saj, pavarësisht modestisë në paraqitje. Ibrahimaj u shpreh se modestia është një vlerë dhe se një detyrë zyrtare nuk duhet të shndërrohet në arsye për të ndërtuar një imazh të bazuar te gjërat e shtrenjta.


