Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Francën lidhur me sulmet e fundit kibernetike. Në një postim në platformën X, ai tha se sulmet i atribuohen një njësie të lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Hoxha rikujtoi se edhe Shqipëria ishte shënjestër e sulmeve kibernetike në vitin 2022. Sipas tij, kjo përvojë i ka treguar vendit se sa serioz është rreziku që këto veprime paraqesin për sigurinë dhe funksionimin e institucioneve e të shoqërisë.
Të lidhura
None found
“Shqipëria qëndron plotësisht në solidaritet me Francën pas sulmeve kibernetike shkatërruese, të kryera në një shkallë të paprecedentë nga një njësi sulmuese kibernetike e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit.
Eksperienca e Shqipërisë na bën ta kuptojmë mirë situatën me të cilën po përballet Franca. Në vitin 2022, vendi ynë u vu në shënjestër të operacioneve kibernetike brutale e shkatërruese, të ndërmarra nga aktorë shtetërorë iranianë.
Sulmet kibernetike të sponsorizuara ose të mbështetura nga shtetet nuk duhet të trajtohen si normale, të pranohen apo të përdoren si mjet presioni pa pasoja për autorët.
Kur goditet infrastruktura kritike, cenohet vetë funksionimi dhe siguria e shoqërisë, qoftë sulmi me eksploziv apo përmes kodit keqdashës. Evropa duhet të veprojë e bashkuar, të rrisë qëndrueshmërinë e saj të përbashkët dhe të bëjë që përgjegjësit të mbajnë llogari”, shkroi ministri Hoxha.







