Kurti takohet me Sorensen, kryeministri bisedoi në Paris me të dërguarin e BE-së, kërkoi njohje reciproke nga Serbia

11/11/2026 20:18

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar Peter Sorensen, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosova – Serbi.

Takimi u zhvillua në margjinat e Samitit të Paqes në Paris, e kryeministri tha se u diskutua për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë me fokus njohjen reciproke.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, ka shkruar Kurti në “X”.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, pas takimi njoftoi se janë diskutuar hapat e mëtejshëm rreth diskutimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Diskutim i frytshëm sot në Paris me kryeministrin Kurti. Me institucionet tashmë të konsoliduara në Prishtinë, biseduam për hapat e mëtejshëm në dialogun Beograd-Prishtinë dhe për aspekte të ndryshme të procesit të normalizimit, të cilat janë të rëndësishme për qytetarët në terren dhe për rajonin”, ka shkruar Sorensen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po qëndron në Francë në kuadër të samitit, e të martën gjatë një interviste për media atje tha se qeveria e re e Serbisë duhet të pranojë realitetin e të njohë Kosovën.

Top Channel