Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka reaguar ndaj protestave kundër qeverisë dhe dhunës së regjistruar gjatë tyre, duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, por kjo nuk mund të justifikojë shkatërrimin e pronës publike dhe private.
Në një intervistë për Radar, Ibrahimaj tha se situatat e dhunshme e kanë prekur edhe personalisht, pasi i përket një brezi që ka përjetuar konfliktet dhe protestat e mëdha në Shqipëri. Sipas saj, përvoja e këtyre ngjarjeve e bën të vështirë të shohë një rikthim të situatave të tilla.
“Ne jemi një brez që ka traumat e veta nga protestat dhe nga konfliktet, sepse Shqipëria ka pasur konflikte të mëdha, të cilat ne i kemi jetuar. Është tjetër gjë t’i lexosh apo t’i dëgjosh nga prindërit dhe tjetër gjë t’i përjetosh”, u shpreh ministrja.
Ajo tha se nuk mund ta ndajë veten si qytetare nga roli i saj si ministre, pasi, në fund të fundit, mbetet një njeri që ndikohet nga ajo që ndodh në vend.
“Situata e dhunshme mua, si individ dhe si qytetare, më ndikon shumë. Nuk e ndaj dot qytetarin nga ministri, sepse në fund të fundit unë njeri jam”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja u ndal te dëmtimi i bulevardit, institucioneve dhe bizneseve, duke thënë se gjatë protestave të fundit nuk u prek vetëm zona ku zhvillohej tubimi, por edhe jeta e qytetit. Ajo vuri në dukje se në protesta të mëparshme politike, ndërsa në bulevard zhvilloheshin tubimet, në zona të tjera të Tiranës qytetarët vijonin aktivitetet e tyre të zakonshme.
Sipas saj, këtë herë situata ishte ndryshe, pasi një pjesë e qytetit që nuk merrte pjesë në protestë qëndronte e shqetësuar dhe ndiqte zhvillimet nga shtëpitë apo përmes televizionit.
Ibrahimaj kundërshtoi pretendimin se shkatërrimi i pronës mund të konsiderohet shprehje legjitime e pakënaqësisë ndaj qeverisë.
“Unë nuk e ndjej fare legjitime që të dhunohet qoftë prona publike, qoftë prona private. Njerëzit kanë të drejtë të dalin dhe të protestojnë, pa diskutim. Secili ka mendimet dhe opinionet e veta. Nëse mendon se një drejtues apo një forcë politike është përgjegjëse për një situatë personale apo kolektive, ke të drejtën të dalësh dhe të ngresh zërin në forma të ndryshme, por jo duke hequr gurët nga bulevardi”, tha ajo.
E pyetur për pakënaqësinë e qytetarëve ndaj qeverisë dhe pretendimin se protesta është një shpërthim i mllefit të grumbulluar, ministrja tha se nuk e kundërshton të drejtën për të protestuar, por nuk pranon që kjo të shoqërohet me dhunë.
Ajo u shpreh gjithashtu se, sipas saj, në diskursin publik nuk ka pasur distancim të mjaftueshëm nga aktet e dhunshme. Ibrahimaj përmendi edhe deklaratën e Bashkimit Evropian kundër dhunës, duke vënë në dukje se nuk ka parë reagime të ngjashme nga të gjithë aktorët e tjerë publikë.
Ministrja tregoi se është ndier e prekur edhe nga pamja e institucionit ku punon pas dëmtimeve.
“U ndjeva e dhunuar. U ndjeva unë personalisht e dhunuar, u ndjeva si ministre e dhunuar dhe u ndjeva si qytetare e dhunuar. E dhunuar në të gjitha drejtimet”, tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se i vjen keq që qyteti është përballur me pamje të tilla, me dyer të shqyera, xhama të thyer dhe ambiente të dëmtuara, ndërsa theksoi se institucionet publike nuk janë pronë e ministrave apo e kryeministrit, por pasuri e shtetit dhe e qytetarëve.
“Institucionet nuk janë të miat, nuk janë të Edi Ramës. Institucionet janë të shtetit, janë institucione publike, janë e mirë publike. Atë unë nuk e toleroj dot”, deklaroi ministrja.
Në fund, Ibrahimaj tha se është e natyrshme që protestuesit të kërkojnë largimin e qeverisë, ndërsa mazhoranca mendon se duhet të vijojë qeverisjen. Sipas saj, këtë përplasje pikëpamjesh e zgjidh vota, por dhuna ndaj institucioneve nuk mund të pranohet.


