Disa muaj më parë emisioni “Stop” transmetoi një rast mashtrimi nga ana e shtetases Odeta Hoxha. Kjo e fundit kishte përfituar mbi 35 mijë euro nga familjarët e së ndjerës Qerime Bogdani, e cila vuante nga një tumor në zorrën e trashë.
Denoncuesit, Gentian Bogdani dhe Erjola Bogdani, treguan, se Hoxha u kishte premtuar lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë për kurimin jashtë vendit, duke përdorur emrat e ish-ministres Albana Kociu dhe ish-ministres Evis Sala.
Në komunikimet me familjarët, që nisën që në vitin 2023, Odeta Hoxha kishte falsifikuar dhjetra dokumenta duke garantuar përfitimin e një fondi mbi 100 milionë lekë. Familjarët kishin besuar, se po komunikonin direkt me titullaret e ministrisë.
Në bisedat, që “Stop” transmetoi, Hoxha komunikonte në emër të ministreve, duke vazhduar të mashtronte familjarët e të ndjerës.
Pas hetimeve mbi rastin e transmetuar në shkurt 2026, Prokuroria na informon, se çështja ndaj shtetases Odeta Hoxha është dërguar për gjykim, nën akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda.
Kjo çështje gjykohet nga gjyqtarja Migena Laska. Odeta Hoxha rrezikon të dënohet nga 5 deri në 10 vjet burgim.










