Toni Kroos ka kritikuar mënyrën se si Barcelona mbrohet, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e skuadrës së Hansi Flick për të përballuar kundërshtarët më të fortë në Ligën e Kampionëve.

Ish-mesfushori gjerman ka pranuar se i pëlqen mënyra se si luan Barcelona, por mendon se katalunasit nuk kanë cilësinë e nevojshme në repartin defensiv për të zbatuar me sukses një stil kaq ofensiv pa u ekspozuar ndaj kundërsulmeve.


“Më pëlqen mënyra se si luan Barcelona, por nuk kanë cilësinë e jashtëzakonshme në mbrojtje për të luajtur në atë mënyrë pa e ekspozuar veten. Ka shumë hapësira për t’u shfrytëzuar dhe mbrojtësit e tyre nuk kanë shpejtësinë apo aftësitë e jashtëzakonshme defensive për t’i mbuluar ato hapësira”.

Gjermani ka theksuar se në Ligën e Kampionëve përballen me skuadra që mund të shënojnë disa gola brenda një ndeshjeje, por edhe me kundërshtarë që mbrohen në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk lejojnë Barcelonën të zhvillojë lojën e saj të zakonshme.

“Në ato situata duhet të dish edhe si të mbrohesh. Barcelona gjithmonë përpiqet të krijojë më shumë raste se kundërshtari, por në Ligën e Kampionëve përballesh me skuadra që mund të shënojnë disa gola në një ndeshje”, ka shtuar ai.

Kroos ka veçuar Pau Cubarsin si mbrojtësin më të mirë të Barcelonës, duke vlerësuar forcën dhe shpejtësinë e tij në duelet individuale.

“Për mua, Cubarsi është bindshëm mbrojtësi i tyre më i mirë. Ai ka forcën për t’i fituar duelet individuale dhe shpejtësinë për t’i përballuar situatat e vështira. Por kur i shikoj mbrojtësit e tjerë, nuk shoh dikë të cilit do t’i besoja të mbronte i vetëm kundër një sulmuesi me 30 metra hapësirë pas shpinës”, ka thënë ish-futbollisti i Real Madridit.

Në fund, Kroos ka marrë si shembull Dayot Upamecanon e Bayern Munichut, duke thënë se Barcelona nuk ka një mbrojtës të këtij profili, i cili mund të lihet i vetëm në një duel kundër sulmuesit me shumë hapësirë pas shpinës.

“Barcelona nuk ka dikë si Upamecano, një mbrojtës që mund ta lësh krejtësisht të vetëm në një duel një kundër një, me 30 metra hapësirë pas tij, dhe përsëri të jesh i sigurt se do ta përballojë situatën. Me Cancelo, Gerard Martín dhe lojtarë të ngjashëm, kjo bëhet shumë më e vështirë”, përfundoi Kroos./Telegrafi/