
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka kritikuar rezultatet e opozitës në përballjet e fundit elektorale me mazhorancën, duke theksuar se Sali Berisha nuk ka arritur të mposhtë Edi Ramën në dy proceset e fundit zgjedhore.
I ftuar në emisionin “Prime News24”, Shehi u ndal te përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale, duke vënë theksin te nevoja për një strategji të re opozitare dhe përzgjedhjen përmes sondazheve të kandidatit më të përshtatshëm për Bashkinë e Tiranës.
Sipas tij, opozita ndodhet në një situatë të fragmentarizuar dhe ka nevojë për një formulë të re elektorale, që të garantojë më shumë demokraci në vendimmarrje dhe të mos e përqendrojë pushtetin brenda partive në duart e një personi të vetëm.
Një pjesë të rëndësishme të deklaratës së tij ia kushtoi edhe protestave të zhvilluara në bulevardin e Tiranës. Shehi i cilësoi ato si një moment që ka rikthyer qytetarët në politikë, ka thyer frikën dhe ka bërë më të dukshme në arenën ndërkombëtare problematikat e shqiptarëve.
Dashamir Shehi: Deri tani Berisha nuk e ka mundur Ramën, sepse u bënë dy zgjedhje…Ne zgjedhjet për Tiranën në këto kushte që jemi sot, duhet bërë një sondazh, dhe të shihet në këtë situatë ku është sot opozita shqiptare që është fragmentarizuar. Duhet të nisim një herë të ligji, të bëhet siç e kishim por këta e përqendruar në një dorë… Duhet një formulë elektorale që demokratizon jetën publike. Zgjedhjet lokale janë edhe një mundësi që personazhe lokalë të faktorizohen dhe të mbledhin atë që ndonjëherë nuk e mbledh partia…Partitë kanë mundësi që peshën e vet elektorale ta tregojnë tek lista zgjedhore, por nëse kandidati të bie edhe poshtë votave të partisë çfarë presim… Por unë uroj që nga këtu deri për zgjedhje lokale, që ky mini-revolucion që është sheshi bulevardi, ajo që prodhoi sheshi sidomos kur doli qyteti i Tiranës ishte një element që kishte vite që nuk ndodhte. U thye frika, u ndërkombëtarizua halli i shqiptarëve, aty ishte opozita por nuk e bënë dot atë punë dhe u rikthye politika sepse nëse diskutojmë për alternativë ky është edhe si pasojë e revolucionit të sheshit. Ndaj ky shesh brenda këtij koalicioni opozitar duhet të ketë vendin e vet.




