Të dërguarit specialë të presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur në Moskë, ku pritet të zhvillojnë një takim me presidentin rus Vladimir Putin. Vizita vjen një ditë pas përfundimit të bisedimeve mes delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe, në kuadër të përpjekjeve amerikane për arritjen e një marrëveshjeje që t’i japë fund luftës.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë ruse të lajmeve, sipas të cilave përfaqësuesit e Donald Trump u pritën në aeroportin Vnukovo, në periferi të kryeqytetit rus, nga Kirill Dmitriev, përfaqësues special i presidentit rus.
Takimi me Putinin pritet të jetë një tjetër përpjekje diplomatike për të afruar qëndrimet e Moskës dhe Kievit, në një moment kur negociatat për paqen përballen ende me mosmarrëveshje të rëndësishme.
Në qendër të diskutimeve janë garancitë e sigurisë për Ukrainën, çështja e territoreve të pushtuara nga Rusia dhe arkitektura e ardhshme e sigurisë në Evropë.
Ndërkohë, Uashingtoni po ushtron presion ndaj Moskës që të pranojë përfshirjen e përfaqësuesve evropianë në tryezën e negociatave, duke kërkuar që Evropa të ketë një rol në diskutimet për sigurinë e kontinentit dhe të ardhmen e Ukrainës.
Megjithatë, Jared Kushner ka shprehur kritika ndaj Evropës. Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, ai argumentoi se bindja e Vladimir Putinit për të pranuar evropianët në negociata mund të jetë më e lehtë sesa arritja e një marrëveshjeje mes vendeve evropiane në Bruksel për personin që do t’i përfaqësojë në këto bisedime.
