Spanja në kaos nga greva masive, miliona qytetarë protestojnë kundër rritjes së qirave dhe çmimeve të banesave

Miliona qytetarë në të gjithë Spanjën kanë dalë në grevë të përgjithshme dhe protesta masive kundër rritjes së çmimeve të banesave dhe krizës së strehimit. Greva 24-orëshe, e para e këtij lloji në vend prej 14 vitesh, ka paralizuar pjesërisht transportin, shkollat, universitetet dhe disa prej sektorëve kryesorë të ekonomisë.
Protesta u organizua fillimisht nga shoqatat e qiramarrësve dhe më pas u mbështet nga sindikatat e punëtorëve, të cilat kërkojnë masa konkrete për përballimin e kostos gjithnjë e më të lartë të jetesës dhe të qirave.
Sipas Konfederatës së Shoqatave të Qiramarrësve, deri në mesditë rreth 4 milionë persona i ishin bashkuar grevës. Sindikatat raportuan pjesëmarrje të lartë në disa sektorë, përfshirë atë automobilistik dhe portual, ku pjesëmarrja arriti në 90%, ndërsa në sektorin e mbledhjes së mbeturinave u raportua në 82%.
Mbështetja më e madhe u regjistrua në rajonet bregdetare, veçanërisht në Katalonjë dhe Andaluzi, ku rritja e kostove të strehimit është kthyer në një problem të mprehtë social.
Një nga situatat më të tensionuara u regjistrua në Barcelonë, ku protestuesit ngritën postblloqe në rrugë, disa prej tyre me goma të djegura. Transporti publik u ndërpre pothuajse plotësisht, ndërsa u bllokuan edhe akset kryesore që lidhnin qytetin me pjesën tjetër të vendit, përfshirë autostradën AP-7. Në mbrëmje, mijëra qytetarë mbushën rrugët dhe zonat kryesore tregtare të Barcelonës, duke brohoritur kundër rritjes së qirave dhe duke kërkuar ndryshime në politikat e strehimit. Organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë rreth 400 mijë persona, ndërsa policia lokale e vlerësoi numrin në 55 mijë.
Gjatë natës situata u përshkallëzua, pasi grupe protestuesish vandalizuan disa dyqane dhe u vunë flakën kazanëve të mbeturinave, duke shkaktuar përplasje me policinë. Edhe në Madrid, protesta ishte masive. Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, autoritetet qeveritare vlerësuan se rreth 120 mijë persona dolën në rrugë. Përplasje u regjistruan pranë tregut kryesor me shumicë të vendit, ndërsa demonstruesit bllokuan përkohësisht një prej bulevardeve kryesore të kryeqytetit.
Sipas autoriteteve, më shumë se 50 persona janë arrestuar në të gjithë vendin për incidente të ndryshme. Në thelb të protestave qëndron pamundësia e një pjese të madhe të qytetarëve për të përballuar çmimet e banesave dhe qiratë, edhe kur kanë punë dhe të ardhura të rregullta. Sandra Mora, përfaqësuese e Sindikatës së Qiramarrësve të Madridit, deklaroi për transmetuesin RNE se greva synon t’u kujtojë punëtorëve fuqinë që kanë për të ndikuar në funksionimin e ekonomisë.
Ajo theksoi se punëtorët janë njëkohësisht edhe qiramarrës apo persona që paguajnë kredi hipotekare, ndaj kriza e strehimit i prek drejtpërdrejt. Shqetësimin e saj e shprehu edhe 74-vjeçarja Almudena López, e cila mori pjesë në protestën e Madridit së bashku me bashkëshortin, duke menduar për të ardhmen e fëmijëve të saj.
Ajo tregoi se djali i saj 43-vjeçar, megjithëse punon në sektorin e teknologjisë së informacionit, nuk ka mundur të blejë një banesë dhe detyrohet të marrë me qira një dhomë në një apartament të përbashkët.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






