Mosmarrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe gjyqtarëve e prokurorëve për nivelin e pagave po merr gjithnjë e më shumë përmasa politike, ndërsa në qendër të debatit është edhe pavarësia e pushtetit gjyqësor.
Kryeministri Edi Rama ka kundërshtuar kërkesat e magjistratëve për rritje të ndjeshme të pagave, duke pretenduar se një nivel i tillë do t’i bënte ata më të paguar se homologët në vende më të pasura, si Rumania, Greqia dhe Sllovenia. Rama mbron praktikën sipas së cilës pagat përcaktohen nga qeveria dhe miratohen nga parlamenti.
Megjithatë, në shkurt, Gjykata Kushtetuese i kërkoi parlamentit të miratonte një formulë të re pagash brenda datës 31 korrik, pas ankesës së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë kundër ndryshimeve të bëra në vitin 2023 në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Më 18 shtator u miratua një ligj që parashikonte rritjen me 2 për qind të pagave. Gjyqtarët dhe prokurorët e konsideruan këtë rritje të pamjaftueshme dhe iu drejtuan sërish Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se nuk ishte zbatuar vendimi i saj fillestar. Sipas tyre, pagat duhet të rriten në përputhje me ato të zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe sektorit publik. Një vendim i ri i Gjykatës pritet të përcaktojë vijimin e çështjes.
Debati për pagat dhe pavarësia e drejtësisë
Në vitin 2016, në kuadër të reformës në drejtësi, parlamenti miratoi legjislacionin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sistemi i ri nisi të zbatohej në vitin 2019, por në vitin 2023 qeveria ndryshoi formulën, duke përcaktuar që pagat të llogariteshin mbi bazën e pagës mesatare në administratën publike, në vend që të lidheshin me pagat e zyrtarëve më të lartë të shtetit.
Ekspertë të së drejtës e kanë akuzuar qeverinë se po e politizon këtë debat. Gentian Serjani, drejtues i organizatës joqeveritare “Drejtësia Sociale”, tha se qeveria nuk duhet t’i kishte vendosur gjyqtarët në përballje me opinionin publik, duke i paraqitur si një grup që kërkon rritje të tepruara pagash. Sipas tij, duhej të kishte kërkuar ndjesë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shqetësim për këtë çështje ka shprehur edhe Bordi i Shoqatës Evropiane të Gjyqtarëve, i cili e ka cilësuar mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si “shkelje të vetë Kushtetutës”.
Arnisa Tepelija, kërkuese shkencore e fokusuar te shteti i së drejtës, drejtësia dhe e drejta kushtetuese, theksoi për BIRN se mosmarrëveshja shkon përtej një debati për pagat dhe prek drejtpërdrejt garancitë e pavarësisë së gjyqësorit.
Ajo iu referua nenit 138 të Kushtetutës, i cili ndalon uljen e pagës dhe përfitimeve të tjera të gjyqtarëve, përveç rasteve të parashikuara shprehimisht. Sipas saj, paprekshmëria e pagës është një garanci kushtetuese që mbron jo vetëm interesat individuale të gjyqtarëve, por edhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor nga institucionet e tjera shtetërore.
Tepelija nënvizoi se shpërblimi financiar duhet të jetë në përputhje me rëndësinë dhe dinjitetin e funksionit dhe nuk duhet të jetë objekt ndërhyrjesh që mund të krijojnë varësi ose presion.
Marrëdhënie të tensionuara mes qeverisë dhe drejtësisë
Reforma në drejtësi, e nisur në vitin 2015, është një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo synon forcimin e shtetit të së drejtës dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, ndërsa ka sjellë krijimin e institucioneve të specializuara për hetimin dhe gjykimin e zyrtarëve të lartë publikë.
Megjithatë, zbatimi i reformës është shoqëruar me përplasje mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor. Debati për pagat është zhvilluar në një klimë marrëdhëniesh të tensionuara, ku kryeministri Rama ka kritikuar vazhdimisht sistemin e drejtësisë në rrjetet sociale.
Që prej arrestimit, në shkurt të vitit 2025, të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, një prej aleatëve të afërt të Ramës, nën akuzat për korrupsion, kryeministri ka publikuar fotografi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të caktuar, duke i akuzuar për mosrespektim të ligjit.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve reagoi duke deklaruar se veprimet e tij “përbënin elemente të një vepre penale”.
Përfaqësuesit e gjyqtarëve kanë kritikuar gjithashtu atë që e konsiderojnë ndërhyrje dhe presion të Ramës ndaj gjyqësorit në çështjen që lidhet me zv/kryeministren Belinda Balluku, e akuzuar për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve paralajmëroi se këto veprime mund të krijojnë “një klimë mosbesimi ndaj gjyqësorit”.
Kritikët vlerësojnë se ndërhyrje të tilla rrezikojnë ndarjen demokratike të pushteteve dhe mund të dëmtojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Analisti Lutfi Dervishi tha se sulmet ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë krijojnë perceptimin se kryeministri ka të drejtë të gjykojë dhe të diktojë mënyrën se si duhet të funksionojë drejtësia.
Edhe Gëzim Spahiu, prokuror dhe drejtues i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, theksoi se çështja e pagave nuk është thjesht një debat mbi masën e rritjes apo privilegjet e një grupi të caktuar. Sipas tij, ajo lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e një standardi kushtetues dhe me pavarësinë e sistemit të drejtësisë, ku paga dhe statusi i magjistratëve janë elemente thelbësore.
Spahiu nënvizoi gjithashtu se debati publik nuk duhet të synojë vënien e magjistratëve kundër qytetarëve, duke i paraqitur ata si një grup që kërkon privilegje në kurriz të interesave të shoqërisë.
/BIRN












