E enjte, 12 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Pason Vlora Hysenin në krye të SHISH, kush është Esmeralda Hasani

Esmeralda Hasani është emëruar këtë të enjte në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), me dekret të Presidentit Bajram Begaj, pas propozimit të Kryeministrit Edi Rama. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Vlora Hysenin, e cila u shkarkua së fundmi pas zhvillimeve të lidhura me hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t.

Hasani ka një profil profesional të lidhur kryesisht me të drejtën evropiane, planifikimin dhe zhvillimin e projekteve, si dhe mbledhjen e fondeve. Ajo raportohet se ka mbajtur pozicionin e konsulentes së lartë në Zyrën e Kryeministrit, ndërsa prej vitit 2014 rezulton e angazhuar si anëtare e lartë e Forumit të Projekteve Evropiane. Gjithashtu, ka ushtruar detyrën e lektore­s universitare në fushën e së Drejtës Evropiane pranë Universitetit “Marin Barleti”.

Në karrierën e saj akademike dhe profesionale, Hasani ka qenë Drejtore Ekzekutive e Institutit Adriapol, si dhe bashkëpunëtore vizitore në Universitetin Roma Tre në Itali. Ajo ka studiuar të drejtën ndërkombëtare dhe shkencat politike, ndërsa zotëron edhe një master në Planifikim dhe Zhvillim Projektesh nga Shkolla e Biznesit të Inovacionit në Bruksel. Gjithashtu, është angazhuar si eksperte e pavarur në fushën e kërkimit dhe inovacionit pranë Komisionit Evropian.

Një pjesë e rëndësishme e përvojës së saj lidhet edhe me proceset e integrimit evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. Ajo ka marrë pjesë në projekte kërkimore, arsimore dhe inovative, në bashkëpunim me universitete, kompani dhe qendra kërkimore. Së fundmi, raportohet se është përzgjedhur nga misioni i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në Shqipëri si konsulente ndërkombëtare për zhvillimin e projekteve.

Reklamë

Nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018, Hasani ka punuar pranë Ministrit të Shtetit për Diasporën, fillimisht si këshilltare dhe më pas si shefe e kabinetit. Gjatë kësaj periudhe, ajo është angazhuar në krijimin e institucioneve dhe mekanizmave për përfshirjen e diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit. Ndër kontributet e saj përmendet edhe hartimi i projektit “Angazhimi i Diasporës Shqiptare në Zhvillimin Social dhe Ekonomik të Shqipërisë”. Tashmë, ajo merr drejtimin e SHISH, një institucion me përgjegjësi të rëndësishme në fushën e sigurisë kombëtare dhe informacionit inteligjent.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.