Një 17-vjeçar, i cili kishte humbur prej gjashtë ditësh në një zonë të dendur pyjore në Australi, është gjetur i gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore, duke i dhënë fund ankthit të familjes dhe operacionit të gjerë të kërkimit.
Adoleshenti, i identifikuar vetëm me emrin Uilliam, ishte zhdukur të premten e kaluar gjatë një udhëtimi kampingu me një mik, në një zonë pyjore rreth 180 kilometra në lindje të Melburnit, në shtetin e Viktorias.
Temperaturat shumë të ulëta gjatë natës kishin shtuar shqetësimin për jetën e tij. Në kërkim u angazhuan efektivë policie, qen nuhatës, zhytës dhe helikopterë.
Pas gjashtë ditësh kërkimesh intensive, Uilliam u gjet të premten në mëngjes. Ekipet e shpëtimit e nxorën nga zona e vështirë me ndihmën e një helikopteri. Menjëherë pas shpëtimit, atij iu dha një ëmbëlsirë dhe një shishe ujë, përpara se të transportohej në spital për kontrolle mjekësore.
Nëna e tij, Elizabeth Barkley, u shpreh e lumtur për rikthimin e të birit, duke treguar se ai kishte vetëm disa gërvishtje dhe ishte në gjendje shumë të mirë shëndetësore.
“Ai është mirë, gjithçka duket në rregull. Është në gjendje të përsosur shëndetësore. Ai qëndroi në një vend dhe priti derisa ta shpëtonin. Jam jashtëzakonisht e lumtur që është gjallë”, deklaroi ajo.
Me humor, por edhe me lehtësimin e madh pas këtyre ditëve ankthi, nëna shtoi: “Ai nuk do të dalë më kurrë nga shtëpia!”
Edhe policia australiane e cilësoi gjetjen e adoleshentit një moment emocionues. Inspektori në detyrë Jason Benbou tha se efektivët ishin prekur nga përfundimi i operacionit.
“Kjo nuk ndodh çdo ditë. Jam i sigurt se ai ka një histori për të na treguar dhe mezi presim ta dëgjojmë”, u shpreh ai.
Pas gjashtë ditësh të kaluara në pyllin e dendur australian, 17-vjeçari u rikthye pranë familjes, për fat të mirë pa dëmtime serioze.
