
Pep Guardiola mund të jetë emri i madh që do të marrë drejtimin e Kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Federata Amerikane e Futbollit ka vendosur në fokus trajnerin spanjoll, teksa po përgatitet për një ndryshim të mundshëm në stolin e përfaqësueses.
Sipas raportimeve të “The Athletic”, Guardiola kryeson listën e kandidatëve të mundshëm për të pasuar Mauricio Pochettinon, largimi i të cilit nga drejtimi i SHBA-së është përfolur së fundmi. Argjentinasi lidhet me një kalim të mundshëm te Manchester United, çka ka shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e tij në krye të kombëtares amerikane.
Drejtuesit e federatës synojnë të gjejnë një trajner me emër dhe përvojë të madhe ndërkombëtare, ndërsa Guardiola shihet si një nga alternativat që mund t’i japë projektit amerikan një dimension të ri.
Spanjolli ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në pankinën e Barcelonës, Bayern Munich dhe Manchester City, duke fituar trofe të shumtë dhe duke u shndërruar në një prej trajnerëve më të vlerësuar të futbollit botëror. Megjithatë, për momentin bëhet fjalë për një pistë të raportuar nga mediat dhe jo për një marrëveshje konkrete.
