Tentoi të trafikonte 4 kinezë drejt Greqisë, arrestohet 19-vjeçari në Sarandë
Një tentativë për të transportuar ilegalisht katër shtetas kinezë drejt Greqisë është goditur nga Policia në kuadër të operacionit të koduar “Transit 3”. Për ngjarjen është arrestuar një 19-vjeçar nga Konispoli, ndërsa një 21-vjeçar nga Kosova, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë aktivitet të paligjshëm, është shpallur në kërkim.
Në pranga ka përfunduar shtetasi me inicialet M. M., i cili dyshohet se kishte një rol të përcaktuar në organizimin e transportit të emigrantëve kundrejt pagesës. Ndërkohë, policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e A. S., 21 vjeç, banues në Kosovë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, dy të rinjtë kishin ndarë detyrat mes tyre për të shmangur kontrollet policore. 19-vjeçari lëvizte përpara automjetit që transportonte katër shtetasit kinezë, duke mbikëqyrur itinerarin dhe duke sinjalizuar në rast se konstatonte praninë e shërbimeve të policisë.
Pas tij udhëtonte 21-vjeçari me automjetin ku ndodheshin katër shtetasit e huaj, me destinacion zonën e Konispolit dhe më pas kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Greqisë.
Plani është ndërprerë nga ndërhyrja e efektivëve të policisë në afërsi të Konispolit. Në momentin e ndërhyrjes, A. S. ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap, duke shfrytëzuar errësirën dhe terrenin për t’iu shmangur kapjes.
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar dy automjetet që dyshohet se janë përdorur për realizimin e kësaj veprimtarie.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për kapjen e 21-vjeçarit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të përfshirjes së personave në tentativën për kalimin e paligjshëm të shtetasve të huaj drejt territorit grek.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



