Luka, mafiozi i rrezikshëm shqiptar i vrarë në Orihuela tw Spanjws, trafikonte armë lufte dhe drogë drejt Italisë. 39-vjeçari, i cili kishte një histori të gjatë kriminale, u qëllua për vdekje të martën nga një person i dyshuar, i cili ende ndodhet në arrati.
Nga Jorge Verdu, EL ESPANOL
Shqiptari 39-vjeçar, i vrarë të martën e kaluar në ambientet e një kompleksi sportiv në Orihuela Costa, është Luka Beqiraj, i njohur me nofkën Kriols. Ai kishte një të kaluar kriminale të karakterizuar nga përfshirja në organizata mafioze italo-shqiptare, të angazhuara në trafikun e armëve dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Garda Civile (Xhandarmëria spanjolle) vijon kërkimet për autorin e vrasjes, i cili e qëlloi viktimën në gjakftohtësi dhe më pas dyshohet se u largua me shpejtësi nga zona e krimit, në lagjen Playa Flamenca.
Deri më tani, të gjitha pistat mbeten të hapura, megjithëse dyshohet se mund të bëhet fjalë për një larje hesapesh për shkak të borxheve që Luka mund të kishte nga e kaluara e tij kriminale.
Në të kaluarën, ai kishte pasur lidhje me grupe të rrezikshme italo-shqiptare të trafikut të drogës. Këto lidhje çuan në arrestimin e tij dhe dërgimin në burg.
Ai kishte lindur në vitin 1987 në qytetin shqiptar të Vlorës dhe, përpara se të përfshihej në rrjetin kriminal duke dërguar armë dhe municione nga vendi i tij, ishte arrestuar edhe në vitin 2016 për një sulm të dhunshëm ndaj një personi tjetër, të cilin e kishte plagosur rëndë, sipas raportimeve të medieve shqiptare në atë kohë.
Tre vjet më vonë, në vitin 2019, ai u arrestua gjatë operacionit të madh policor “Flores de Primavera” (Lulet e Pranverës), të zhvilluar nga Policia Financiare italiane. Në operacion morën pjesë më shumë se 100 efektivë dhe ai përfundoi me 27 të arrestuar, pas dy vitesh hetimesh.
Të gjithë akuzoheshin për trafik ndërkombëtar droge, si dhe për posedim dhe futje në Itali të armëve dhe municioneve të luftës.
Mes 21 shqiptarëve të arrestuar figuron edhe emri i Luka Beqirajt, tashmë i ndjerë, së bashku me një fotografi të tij të realizuar gjatë procedurave të identifikimit policor.
Klani i rrezikshëm, pjesë e të cilit ai ishte, kishte baza operative në provincën e Leçes dhe degëzime në rajone të tjera italiane me aktivitet të lartë mafioz, si Kalabria, Toskana, Emilia-Romanja, Sicilia, Liguria dhe Lombardia.
Strehë në Costa Blanca
Costa Blanca është shndërruar gjatë dekadave të fundit në një vend ideal për të fshehur një të kaluar kriminale. Vrasës, rrëmbyes, trafikantë droge dhe hajdutë jetojnë në këtë provincë, të favorizuar nga lidhjet e mira të transportit, afërsia me korridorin mesdhetar, prania e aeroporteve dhe porteve turistike, si dhe fluksi i madh i turistëve që hyjnë dhe dalin nga rajoni.
Ata kërkojnë vende ku kanë tashmë një mbështetje logjistike dhe një komunitet të përbërë nga bashkëkombës ose bashkëpunëtorë të lidhur me organizatat e tyre kriminale.
Megjithatë, kjo nuk i mbron nga grupet rivale, të cilat e kanë kthyer larjen e hesapeve në metodën e tyre kryesore për të shënuar dhe kontrolluar territoret.
Eksperti José Luis Gil, bashkëpërfaqësues në Spanjë i Shoqatës Evropiane të Analistëve të Inteligjencës Kriminale (EACA), shpjegoi për këtë gazetë se:
“Kur kryejnë një akt të dhunshëm në publik, siç është një vrasje në mes të ditës ose në një parking, ata e bëjnë këtë me një qëllim të qartë komunikues: t'u dërgojnë një paralajmërim bandave rivale, të ruajnë kohezionin e brendshëm ose të kryejnë një larje hesapesh që shërben si shembull për të tjerët”.
Më parë, klanet përdornin armë të ftohta, pistoleta ose armë gjahu për qëllime kërcënuese dhe frikësuese. Por situata ka ndryshuar me ardhjen e mafieve të përbëra nga shtetas gjeorgjianë, shqiptarë, serbë dhe rusë, shumë prej të cilëve kanë formim dhe përvojë ushtarake ose policore në vendet e tyre të origjinës.
Një nga zonat e nxehta ku zhvillohet kjo përplasje në hartën e krimit është Orihuela Costa, ku Garda Civile vijon operacionin për kërkimin dhe kapjen e autorit të vrasjes së Luka Beqirajt.
© SYRI.net