Një incident i papritur është regjistruar gjatë ceremonisë zyrtare të pritjes së presidentit sllovak, Peter Pellegrini, në Pallatin Élysée në Paris, ku një pjesëtar i gardës ceremoniale franceze është rrëzuar në tokë, vetëm pak hapa larg presidentit Emmanuel Macron.
Ngjarja ndodhi teksa kreu i shtetit francez po përgatitej të priste homologun e tij sllovak. Pamjet e publikuara nga mediat sllovake tregojnë momentin kur gardisti, i cili mbante një shpatë ceremoniale në dorë, fillimisht nis të lëkundet, më pas ul shpatën dhe përfundon i rrëzuar në tokë.
Presidenti Macron, i cili ndodhej shumë pranë, reagoi menjëherë duke iu afruar gardistit, së bashku me disa zyrtarë të pranishëm në ceremoni.
Anëtarët e stafit ndërhynë për ta ndihmuar dhe e larguan nga vendi ku po zhvillohej pritja zyrtare, ndërsa presidenti Pellegrini mbërriti për takimin me homologun francez.
Sipas gazetës franceze Le Parisien, gjatë së njëjtës ceremoni është regjistruar edhe një incident i dytë i ngjashëm. Një tjetër pjesëtar i gardës raportohet se është rrëzuar, por momenti nuk është kapur nga kamerat.
Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e rrëzimit të dy gardistëve dhe as nëse incidentet lidhen me probleme shëndetësore apo me kushtet gjatë ceremonisë.
