Shqiptari ekzekutohet me 8 plumba pranë Parlamentit Evropian, pas tij vritet dhe një polic belg

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.11.2026, 10:55

Një shtetas shqiptar u ekzekutua me armë zjarri në Bruksel, vetëm pak metra larg Parlamentit Evropian. Autorët e dyshuar për vrasjen e tij dyshohet se janë të njëjtët persona që, disa orë më vonë, vranë efektivin e policisë belge, 41-vjeçarin Nordine El Talbi. Sipas gazetës belge “De Standaard”, hetuesit kanë bërë përparim në zbardhjen e dy ngjarjeve dhe dyshojnë se ato janë të lidhura.

Vrasja e shqiptarit ndodhi më 12 tetor, rreth orës 17:50, në rrugën Wiertz, në lagjen Elsene të Brukselit. Tre ose katër persona hapën zjarr ndaj tij në hyrje të një pallati banimi, duke e qëlluar me shtatë ose tetë plumba në gjoks. Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të emergjencës, ai ndërroi jetë në vendngjarje.

Atentati ndodhi në mes të ditës, në një zonë të frekuentuar, ku banojnë edhe shumë punonjës të institucioneve evropiane. Viktima nuk rezultonte të kishte precedentë penalë në Belgjikë, por dyshimet janë se vrasja lidhet me larje hesapesh në botën e trafikut të drogës dhe ka karakteristikat e një ekzekutimi me pagesë.

Fillimisht, Prokuroria e Brukselit deklaroi se nuk kishte të dhëna për një lidhje mes kësaj vrasjeje dhe atentatit ndaj policit El Talbi. Megjithatë, pamjet e kamerave të sigurisë kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në hetim, ndërsa hetuesit tashmë dyshojnë se pas të dyja ngjarjeve qëndrojnë të njëjtët persona.

Si u vra polici Nordine El Talbi

Vetëm disa orë pas vrasjes së shqiptarit, El Talbi dhe kolegët e tij nga njësia kundër grabitjeve po kërkonin një automjet Volkswagen T-Cross, të grabitur me dhunë më herët gjatë mbrëmjes në Tubize.

Rreth mesnatës, policia e lokalizoi makinën në bulevardin Carton de Wiart, në lagjen Jette. Kur El Talbi iu afrua automjetit në këmbë për të kontrolluar situatën, personat brenda hapën zjarr. Një plumb e goditi në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas prokurorit të Brukselit, Julien Moinil, në automjet ndodheshin pesë persona dhe njëri prej tyre qëlloi plumbin fatal. Pas atentatit, autorët braktisën pranë makinës tri armë zjarri dhe u larguan në këmbë.

Katër të dyshuar u arrestuan jashtë Belgjikës

Pas ngjarjeve, autorët e dyshuar u larguan nga Belgjika. Brenda më pak se një jave, tre prej tyre u arrestuan në Almería të Spanjës, ndërsa dyshohet se po udhëtonin drejt Marokut. I katërti u kap në një stacion treni në Paris.

Njëri prej të dyshuarve është i mitur. Të katër personat janë ekstraduar në Belgjikë për t'u përballur me drejtësinë.

Ndërkohë, policia kishte arrestuar edhe dy persona të tjerë në Bruksel. Njëri prej tyre u lirua me vendim të gjykatës, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme, ndërsa tjetri vijon të jetë në paraburgim.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit janë banorë të Brukselit dhe njihen për lidhjet e tyre me qarqet e trafikut të drogës. Gjatë hetimeve, në Volkswagen-in e grabitur u gjet edhe një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.

Hetimet për motivin vijojnë

Deri më tani, hetuesit kanë rindërtuar një kronologji që nis me vrasjen e shqiptarit në Elsene, vijon me grabitjen e automjetit në Tubize dhe përfundon me ekzekutimin e policit El Talbi në Jette.

Megjithatë, motivi i atentatit ndaj shqiptarit dhe roli i secilit prej të dyshuarve mbeten ende për t'u zbardhur. Prokuroria nuk ka konfirmuar zyrtarisht nëse të dyja vrasjet janë pjesë e të njëjtit operacion kriminal.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit