Dy persona janë arrestuar në Laç, pasi dyshohet se ushtronin veprimtarinë e shitjes së lëndëve narkotike në doza, kryesisht në afërsi të shkollave. Operacioni policor i koduar “Quick Strike 2” u finalizua në kuadër të planit operacional “Shkolla të Pastra”, që synon parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogës në perimetrat e sigurisë së institucioneve arsimore.
Në pranga kanë rënë dy shtetas, Vanes Ruçi 23 vjeç dhe Agron Gjetdoçaj, 36 vjeç, të dy banues në Laç, Kurbin. Ata u kapën në flagrancë pranë një shkolle në qytet.
Gjatë kontrolleve fizike dhe atyre në banesat e të arrestuarve, policia gjeti dhe sekuestroi 126 doza të dyshuara narkotike, nga të cilat 113 doza kanabis dhe 13 doza kokainë. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan municion luftarak dhe dy telefona celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se dy të arrestuarit shisnin lëndë narkotike në qytetin e Laçit, kryesisht pranë perimetrit të sigurisë së shkollave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.
