
Kombëtarja shqiptare përgatitet për një tjetër sfidë të rëndësishme ndaj Finlandës, në ndeshjen e raundit të parafundit të Nations League, që do të luhet mbrëmjen e së enjtes në “Arenën Kombëtare”. Kuqezinjtë do të kërkojnë një rezultat pozitiv për të hedhur një hap vendimtar drejt konfirmimit në vendin e parë të Grupit C1.
Përballja e radhës do të jetë e teta në historinë e dy përfaqësueseve. Bilanci i përgjithshëm favorizon nordikët, të cilët kanë regjistruar pesë fitore, ndërsa Shqipëria ka triumfuar në dy raste. Një ndeshje tjetër është mbyllur në barazim.
Historia e përballjeve nis në vitin 1972, në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 1974, kur Finlanda fitoi 1-0. Një vit më pas, më 10 tetor 1973, Shqipëria mori hakun, duke fituar me të njëjtin rezultat.
Edhe në eliminatoret e Botërorit 1982, dy skuadrat ndanë nga një fitore. Kuqezinjtë triumfuan 2-0 në shtator të vitit 1980, ndërsa Finlanda fitoi 2-1 një vit më vonë.
Në kualifikueset e Botërorit 2002, nordikët dominuan me dy fitore, përfshirë suksesin e thellë 12-1. Barazimi i vetëm, 1-1, u regjistrua në Bahrein në vitin 2002.
Ndeshja e fundit, në Helsinki, përfundoi 2-1 për Finlandën. Tashmë, Shqipëria synon të ndryshojë historinë dhe të marrë një rezultat që vlen shumë për objektivin e saj në Nations League.
