
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, ka ngritur në Kuvend çështjen e protestave të studentëve dhe qytetarëve kundër qeverisë, duke kritikuar deputetët e mazhorancës për qëndrimin ndaj protestuesve.
Zhupa deklaroi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të kërkojnë krijimin e një qeverie tranzitore, e cila, sipas saj, do të mundësonte leximin e votës reale pas 14 vitesh.
Ajo akuzoi deputetët e Partisë Socialiste se kanë frikë të dalin jashtë godinës së Kuvendit, duke iu referuar edhe incidenteve me vezë gjatë protestave.
“Qytetarët kanë të gjithë të drejtën e botës që të protestojnë dhe të kërkojnë një qeveri tranzitore, që jep mundësinë që të lexohet për herë të parë vota reale pas 14 vitesh. Sa më shumë e vononi këtë gjë, aq më shumë i ndikoni për keq Shqipërisë, qoftë në rrugën drejt BE-së, qoftë dhe në krijimin e një situate kaotike.
Keni frikë të dilni nga dyert e Kuvendit, sepse jeni tmerruar nga populli e ju gjuajnë me vezë. Nëse doni Shqipëri normale, jepni zgjidhje politike, që vendi të ecë në rrugën europiane”, u shpreh Zhupa.