Shisnin kokainë dhe kanabis pranë shkollave, arrestohen dy persona
Sekuestrohen 126 doza droge
Një operacion policor i zhvilluar në qytetin e Laçit ka çuar në arrestimin e dy personave, të dyshuar për shitjen dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave. Aktiviteti i tyre dyshohet se zhvillohej kryesisht në zonat që përfshihen në perimetrat e sigurisë së institucioneve arsimore.
Aksioni u finalizua në kuadër të operacionit të koduar “Quick Strike 2”, pjesë e planit kombëtar operacional “Shkolla të Pastra”, i cili ka si objektiv identifikimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së drogës në mjediset përreth shkollave.
Në pranga përfunduan Vanes Ruçi, 23 vjeç, dhe Agron Gjetdoçaj, 36 vjeç, të dy banues në Laç, në Kurbin. Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë pranë një institucioni arsimor në qytet.
Kontrollet e ushtruara ndaj tyre dhe në banesat ku qëndronin zbuluan një sasi prej 126 dozash të dyshuara me lëndë narkotike. Nga këto, 113 doza dyshohet se përmbanin kanabis, ndërsa 13 të tjera kokainë.
Përveç drogës, efektivët sekuestruan edhe municion luftarak dhe dy telefona celularë, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve në kuadër të hetimit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dy të arrestuarit e kishin kthyer shitjen e lëndëve narkotike në aktivitet të vazhdueshëm në Laç, duke përzgjedhur edhe zonat pranë shkollave për shpërndarjen e dozave.
Materialet procedurale për këtë rast i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ku do të vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



