Në vendlindjen e saj, në Kinë, raportohet se është rikthyer Alice Huang, gruaja që ndodhet në qendër të skandalit të spiunazhit, i cili kërcënon të çojë në largimin nga drejtimi i kompanisë Nvidia të Jensen Huang, sipas burimeve që kanë dijeni për çështjen dhe që citohen nga Bloomberg.
Themeluesja e kompanisë Megaspeed International tashmë jeton në Pekin, në dijeni të autoriteteve të sigurisë, bëri të ditur një nga burimet, i cili kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Sipas të njëjtit burim, nuk është bërë e ditur se kur dhe përse ajo udhëtoi drejt kryeqytetit kinez, apo me çfarë aktivitetesh mund të merret aktualisht atje.
Vendndodhja e Alice Huang ka qenë objekt i shumë spekulimeve që kur themeluesi i Nvidia-s pranoi se kishte pasur një lidhje jashtëmartesore dhe bordi drejtues i kompanisë nisi një hetim lidhur me pretendimet se gruaja ishte spiune e Kinës.
E njohur gjithashtu me emrin Huang Le, ish-gazetarja u shndërrua në një figurë me ndikim të madh në sektorin e marrjes me qira të mikroçipave të avancuar për kompanitë më të mëdha kineze.
Ajo u gjend në qendër të një çështjeje që shkaktoi tronditje në tregjet financiare dhe që tashmë mund të çojë në largimin e Jensen Huang nga drejtimi i kompanisë.
Pekini ka mohuar se gruaja ka qenë spiune.
Alice Huang ra për herë të parë në kontakt me drejtorin ekzekutiv të Nvidia-s pas themelimit të kompanisë Megaspeed, blerësit më të madh të mikroçipave Nvidia në Azinë Juglindore. Ky rajon përbën një rrugë të rëndësishme për transportimin e paligjshëm drejt Kinës të pajisjeve të avancuara të kompanisë amerikane.
Ajo mbikëqyri rritjen e jashtëzakonshme të një kompanie të re që ofron shërbime kompjuterike përmes teknologjisë cloud, e cila u shndërrua në një nga partnerët më të rëndësishëm të Nvidia-s gjatë lulëzimit të qendrave të të dhënave në rajon.
Përpjekjet për të kontaktuar me të ditën e enjte nuk dhanë rezultat.
Publikimet në internet dhe informacionet e disponueshme për publikun zbulojnë në vija të përgjithshme zhvillimin e kompanisë Megaspeed dhe rolin vendimtar që Alice Huang luajti në rritjen e saj.
Alice Huang themeloi Megaspeed në vitin 2023, pasi kishte punuar më parë në sektorin e investimeve private dhe në televizion.
Kompania u krijua pas ndarjes së një pjese të aktiviteteve të 7Road Holdings Ltd., një prej kompanive më të mëdha të videolojërave në Kinë. Kjo ndodhi disa muaj pasi presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, vendosi kufizime të gjera për eksportin drejt Kinës të mikroçipave të avancuar për inteligjencën artificiale.
Fillimisht, 7Road ia shiti filialin e saj në Singapor një kompanie të regjistruar në Ishujt e Virgjër Britanikë, me emrin Huang Le Ltd., të cilën më pas e mori nën kontroll Huang Le.
Në nëntor të vitit 2023, Huang Le Ltd. ia shiti Megaspeed një kompanie guaskë (kompani e krijuar kryesisht për të mbajtur asete ose për të kryer transaksione) në Singapor.
Vetëm pak ditë pas shitjes, kompania u njoh si partnere zyrtare e Nvidia-s në fushën e shërbimeve kompjuterike cloud (Nvidia Cloud Partner). Ky status i siguroi asaj akses të privilegjuar në mikroçipat e kompanisë, të cilët janë ndër më të kërkuarit në industrinë teknologjike.
Të dhënat e tregtisë tregojnë se që atëherë Megaspeed ka importuar produkte me vlerë shumë më të madhe se fondet që kishte në dispozicion në vitin 2023.
Importet e produkteve Nvidia nga kjo kompani kanë kaluar shifrën prej 4.6 miliardë dollarësh.
Në disa ambiente dhe qendra në Azinë Juglindore, Megaspeed jep me qira mikroçipa Nvidia për kompaninë Alibaba Group Holding Ltd., e cila gjithashtu është gjendur së fundmi në qendër të shqetësimeve të SHBA-së për sigurinë kombëtare.
Kompania e inteligjencës artificiale dhe tregtisë elektronike Alibaba ka mohuar pretendimet amerikane për lidhje me ushtrinë kineze, ndërsa ka refuzuar të komentojë bashkëpunimin e saj me Megaspeed.
Arrestimi i Huang
Autoritetet e Singaporit, të cilat po hetonin nëse Megaspeed kishte shkelur ligjet vendase, e arrestuan për një periudhë të shkurtër themeluesen e kompanisë në vitin 2025.
Ajo u mor në pyetje dhe iu vendos ndalim për të dalë nga vendi.
Pak kohë pas këtij incidenti, në fund të verës së vitit 2025, këshilltari i përgjithshëm ligjor i Nvidia-s, Tim Teter, telefonoi zëvendëssekretarin amerikan të Tregtisë, Jeffrey Kessler, i cili është përgjegjës për kufizimet amerikane mbi eksportin e mikroçipave.
Qëllimi i telefonatës ishte të kërkonte informacion lidhur me hetimin ndaj Megaspeed, siç kishte raportuar më parë Bloomberg.
Nuk dihet nëse Teter i paraqiti Kesslerit ndonjë kërkesë konkrete lidhur me hetimin që po zhvillonte vetë departamenti i tij ndaj Megaspeed, i cili ishte i pavarur nga hetimi i autoriteteve të Singaporit.
Megaspeed ka deklaruar se hetimi i autoriteteve të Singaporit nuk ka zbuluar asnjë shkelje apo provë fajësie ndaj kompanisë.
Në një moment, autoritetet e vendit ia kthyen pasaportën Alice Huang, duke i lejuar të largohej nga Singapori, sipas një personi që ka dijeni për çështjen dhe që kërkoi të mbetet anonim, pasi bëhej fjalë për informacione jo publike.
Sipas një artikulli të gazetës The New York Times, i cili citon një burim që njeh aktivitetet e kompanisë, Huang udhëtoi drejt Shangait pas përfundimit të hetimit.
Ministria e Brendshme e Singaporit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.
Alice Huang e nisi karrierën e saj profesionale në sektorin financiar, përpara se të angazhohej në industrinë e kompanive që ofrojnë fuqi kompjuterike përmes teknologjisë cloud.
Nga nëntori i vitit 2015, ajo mbante postin e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme në kompaninë Shanghai Hexi Investment Co., sipas publikimeve të kësaj kompanie investimesh në llogarinë e saj zyrtare në platformën WeChat, në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017.
Më parë, ajo kishte punuar në kompanitë financiare Citic Securities Co. dhe HSBC Holdings Plc, sipas të njëjtave publikime.
© SYRI.net