Michael Carrick nuk është më trajneri i Manchester United. Djajtë e Kuq zyrtarizuan shkarkimin e tij me skuadrën që pozicionohet në vendin e 18 të Premier League.

Sipas medias britanike, vendimi për shkarkimin e 45 vjeçarit nga pankina e Manchester United u mor nga shefi Ekzekutiv i klubit anglez Omar Berrada, Drejtori sportiv Jason Wilcox dhe bashkëpronari i klubit Sir Jim Ratcliffe

Më pas vendimi u bë zyrtar nga klubi mesditën e kësaj të enjteje përmes një komunikate për shtyp.

‘Pas një fillimi zhgënjyes të sezonit, klubi erdhi në përfundimin tejmase të vështirë se është e nevojshme që të bëhen ndryshime në mënyrë që të realizojmë ambiciet tona-theksohet në komunikatë- Michael, është dhe gjithnjë do të jetë një legjendë e Manchester United. Ashtu siç bëri edhe gjatë karrierës si futbollist, edhe në rikthimin e tij në klub ai është karakterizuar nga përkushtimi maksimal dhe profesionalizmi i lartë. Udhëheqja dhe arritjet e tij gjatë sezonit të kaluar do të kujtohen gjithmonë me shumë vlerësim’.

Vendimi për shkarkimin e Michael Carrick erdhi pas barazimit dramatik 4-4 me Aston Villa në Old Trafford që e çoi në 8 numrin e ndeshjeve radhazi pa fitore të Manchester United.

Tashmë pritet që në vendin e Carrick në stolin e Manchester United të ulet Mauricio Pochettino, aktualisht trajneri i kombëtares amerikane. Sipas raportimeve në media, Djajtë e Kuq e kanë arritur marrëveshjen me argjentinasin dhe kanë pranuar të paguajnë klauzolën e kontratës së argjentinasit prej 10 milionë dollarësh.

Top Channel