Seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e paraparë të mbahej sot në Gjykatën Themelore në Pejë, është shtyrë.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 24 nëntor, në orën 13:00.
Sipas njoftimit të Gjykatës, shtyrja është bërë pas kërkesës së avokatit Besnik Berisha, përfaqësues i autorizuar i palës së tashmë të ndjerës Arlinda Zekajt, i cili kishte njoftuar Gjykatën se nuk mund të merrte pjesë në seancë.
“Gjykata Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se me datë 12.11.2026, në orën 11:00, ishte caktuar të mbahej seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale P.nr.832/26, kundër të pandehurit J.S., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Seanca nuk u mbajt, pasi përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Besnik Berisha, përmes një emaili të datës 10.11.2026, kishte njoftuar Gjykatën për autorizimin për përfaqësimin e palës së dëmtuar A.Z., si dhe kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkak të pamundësisë për të marrë pjesë në të”.
Kërkesa ishte dërguar përmes emailit më 10 nëntor, ndërsa Gjykata, pas marrjes së mendimeve të palëve të pranishme dhe shqyrtimit të saj, e ka aprovuar atë.
Shtohen masat e sigurisë në Gjykatën e Pejës para seancës ndaj Jeton Sylajt