Samiti i NATO-s që pritet të mbahet në Shqipëri vitin e ardhshëm po shoqërohet me paqartësi, pasi prestigjiozja “Politico” raportoi se diplomatët e Aleancës e konsiderojnë pak të mundshme zhvillimin e tij në Tiranë.
Në një artikull të publikuar dje, “Politico” shkruante se Shqipëria po propozon një organizim në format fleksibël, që mund të përfshijë shtyrjen e samitit për një datë të mëvonshme ose edhe zhvillimin e një takimi virtual. Këtë qëndrim, sipas medias, e kishte shprehur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.

“Ndërsa diplomatët e NATO-s thonë se një samit në Shqipëri vitin e ardhshëm mbetet pak i mundshëm, vendi po propozon organizimin e një takimi në një format fleksibël, qoftë ky një samit i shtyrë për një datë të mëvonshme apo edhe virtual”, shkruante “Politico”.
Media theksonte se udhëheqësit e Aleancës kanë hezituar të angazhohen për organizimin e samitit në Shqipëri, duke përmendur si arsye shpenzimet e ulëta të vendit për mbrojtjen dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara me presidentin amerikan, Donald Trump.
Pas publikimit të këtij raportimi, ministri Nufi reagoi duke pretenduar se deklarata e tij ishte nxjerrë jashtë kontekstit dhe nuk pasqyronte qëndrimin zyrtar të Shqipërisë.
Ai këmbënguli se Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë, në përputhje me vendimin e marrë nga Aleanca. Sipas ministrit, referenca për një takim virtual kishte të bënte vetëm me procesin e vendimmarrjes për caktimin e datës së samitit dhe jo me zhvillimin e vetë aktivitetit.a.b





