Kreu i Partisë Demokartike, Sali Berisha është paraqitur në SPAK, ku u pyet në lidhje me kallëzimin e depozituar ndaj gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka. Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. 

Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha deklaroi për mediat se ishte thirrur nga SPAK në zbatim të një urdhri të gjykatës, duke theksuar se bëhet fjalë për kallëzimin e parë që ka depozituar gjatë jetës së tij. Berisha deklaron se ekzistojnë fakte për dëbime, falsifikime dhe dënim penal, të cilat, sipas tij, nuk janë pasqyruar në formularët e dekriminalizimit, vettingut dhe emërimit.

Sali Berisha: Erdha me kërkesën e SPAK-ut, i cili bazuar në urdhrin e gjykatës së çështjes së Irena Gjokës, kallëzues i të cilës jam unë, kishte kërkuar të pyetem pasi nuk isha pyetur asnjëherë si kallëxues nga SPAK-u i partisë. Së pari deklaroj se në të gjithë jetën time, ky është kallëzimi i parë që unë kam bërë ndaj një personi. Ky kallëzim nuk ka asgjë personale, por ky kallëzim synon ndëshkimin ligjor të një personi që përbën turpin e njeriut.  Ndëshkimin e një njeriu që arriti t’u bëjë në qafë kukumalen të gjitha institucioneve të drejtësisë të këtij vendi, të cilat u garantoj se njëlloj si Irena do të paditen për papërgjegjshmërinë e tyre në rastin e Irenës me 5 mbiemra. Po pse Irena përbën turpin e njeriut, turpin e zyrtarit dhe punonjësit, turpin e juristit, të gjyqtarit e me radhë?

Sepse Irena me katër mbiemra është person i cili ka të vërtetuara dy dëbime nga vendi fqinj. Ka të vërtetuara dy falsifikime. Ka të vërtetuar një dënim penal. Ka të vërtetuar falsifikimet e të gjitha formularëve në të cilët kjo nuk i ka pasqyruar këto dënime Formularit të dekriminalizimit, formularit të vetingut dhe formularit të emërimit si kryetare e gjykatës.Irena është historia më e turpshme që mund të ekzistojë sepse ka shfrytëzuar pozitën, ka nxjerrë tre pasaporta, ka ndryshuar mbiemrin dhe nuk ka dorëzuar asnjë pasaportë në komisariat, nuk ka njoftuar asnjë humbje pasaportash.

Ndërkohë, sipas dëshmisë së gjyqtares, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit. Irena Gjoka është gjyqtarja e GJKKO-së që ka shqyrtuar dhe firmosur vendime për kërkesat e SPAK në kuadër të dosjes “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi.

SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke.