Në mbledhjen e radhës së Komisionit për Legjislacion, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu- Kodra, ka kërkuar që të rrëzohet vetoja e presidentes Justina Shiroka-Pula për Ligjin për Gjykatën Speciale dhe ligji pastaj të hyjë në fuqi automatikisht. Ajo ka bërë thirrje në Komisionin për Legjislacion që të votohet që ligji të procedohet në Kuvend.
Deliu-Kodra ka thënë se ka pasur interpretime të ndryshme rreth Rregullores së Kuvendit, pasi PDK-ja ka konsideruar se amendamentimi i ligjit është i mundur në këtë fazë, ndërsa LVV ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk lejohet.
“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”, deklaroi ajo.
Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se janë për një nismë të re ligjore. Por ka shtuar se do t’ia lënë Kuvendit në dorë për të vendosur.
“Sponzorisuesi vetë e ka iniciuar Ligjin, është pikërisht sponzorizuesi që vetë ka kërkuar kthimin e Ligjit nga presidentja me arsyetimet e përgjithshme dhe natyrisht është në dorën e sponzorizuesit për t’i dhënë epilog të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm.
Ne jemi në një rrethanë të tillë për ligjbërje të re, për ligj të ri, duke i dhënë besimin sponzorizuesit se ka identifikuar defekte në Ligj. Ne nuk jemi sot për të votuar të njëjtin marrë parasysh shqetësimet që i ka dhënë vetë sponsorizuesi. Jemi për një nismë të re ligjore”, ka thënë ai.
Aleanca në anën tjetër, sipas Besnik Tahirit, do ta mbështesë procedimin për rivotimin e Ligjit për Specialen, ashtu siç po kërkon PDK.
Ai tha se Aleanca kërkonë që menjëherë pas miratimit të nisë procesi i amendamentimit të ligjit.