
Trajneri i Shqipërisë, Rolando Maran, duket se ka zgjedhur përvojën përpara rinisë në ndërtimin e skuadrës kuqezi. Lista e lojtarëve të grumbulluar për përballjen me Finlandën përbëhet nga 23 futbollistë, me një moshë mesatare prej 28,4 vjeç.
Kjo shifër e rendit Shqipërinë ndër përfaqësueset me grupmoshën më të lartë në këtë periudhë të Ligës së Kombeve. Vetëm Islanda, me një mesatare prej 28,7 vjeç, regjistron një ekip më të vjetër se kuqezinjtë. Në listën e Maranit, futbollisti më i ri është Luis Hasa, 22 vjeç, por mesfushori nuk pritet të jetë pjesë e formacionit titullar.
Megjithatë, vëmendjen më të madhe e tërheq mundësia e vendosjes së një rekordi historik. Maran mund të thyejë rekordin e trajnerit Oto Bariç, i cili më 11 tetor 2006, në ndeshjen ndaj Holandës, aktivizoi një formacion me moshë mesatare 29,9 vjeç.
Tekniku italian iu afrua shumë këtij rekordi që në ndeshjen e tij të parë zyrtare ndaj Bjellorusisë. Në atë takim, formacioni shqiptar kishte një moshë mesatare prej 29,8 vjeç.
Mbështetja e vazhdueshme te futbollistët me eksperiencë ngre pikëpyetje për aktivizimin e brezit të ri dhe të ardhmen e Kombëtares. Për momentin, Maran duket se ka një prioritet të vetëm: sigurimin e vendit të parë në grup.
