Fotot në rrjetet sociale i rrezikojnë vendin e punës, televizioni amerikan shqyrton shkarkimin e gazetares Pas një dite të tensionuar dhe frike në shkollat italiane, të shkaktuar nga një valë mesazhesh kërcënuese për vendosjen e bombave, institucionet arsimore i rikthehen normalitetit.
Ministri i Arsimit dhe Meritës, Giuseppe Valditara, garantoi se nuk ekziston asnjë rrezik konkret dhe se të gjitha shkollat do të jenë të hapura për zhvillimin normal të mësimit. “Dua të qetësoj të gjithë, pasi në këtë moment nuk ka asnjë arsye për alarm. Të gjitha shkollat do të jenë të hapura rregullisht. Në shkollë mund të shkohet pa asnjë problem”, deklaroi Valditara gjatë një interviste televizive në Rete4, duke njoftuar rikthimin e nxënësve në klasa pas një dite të shoqëruar me shqetësim dhe pasiguri.
Sipas ministrit, bëhet fjalë për një fenomen të përhapur, pasi verifikimet paraprake kanë evidentuar se mbi 6 mijë shkolla italiane kanë marrë mesazhe kërcënuese në adresat e tyre elektronike. Ky numër i konsiderueshëm ka ngritur dyshime për një veprimtari të organizuar dhe për një kapacitet të madh për të shpërndarë njëkohësisht këto mesazhe. Valditara tha se ende nuk është e qartë nëse pas këtyre episodeve fshihen persona që synojnë të krijojnë panik apo nëse bëhet fjalë për individë që veprojnë pa një strategji të mirëpërcaktuar.
Megjithatë, ai theksoi se institucionet po e ndjekin me seriozitet situatën dhe se forcat e rendit dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve. Ndërkohë, zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini ka hedhur poshtë pretendimet dhe spekulimet për një përfshirje të mundshme ruse në alarmet për bombë në shkolla.
“Nuk ka asnjë provë të çfarëdo lloji për përfshirjen e rusëve”, deklaroi Salvini. Ai theksoi se hetimet janë në zhvillim dhe se shërbimet e inteligjencës, së bashku me Policinë Postare, po punojnë për të zbuluar se kush qëndron pas mesazheve kërcënuese, ndërsa insistoi se përpara se të drejtohen gishtat ndaj autorëve të mundshëm, duhet të ketë prova konkrete.
Top Channel