Transformimi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, Spahiu: Shëndeti i nënës dhe fëmijës, në qendër të politikave shëndetësore

Vitet e fundit kanë shënuar një transformim të rëndësishëm për Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, i cili po merr formën e një kompleksi spitalor modern, me infrastrukturë bashkëkohore dhe standarde të përmirësuara të kujdesit shëndetësor.
Me përfundimin e fazës së parë të investimit, është ndërtuar një godinë e re prej rreth 6 mijë m², me 7 salla operacioni dhe 6 salla lindjeje, ndërsa kapaciteti spitalor është rritur nga 260 në 360 shtretër.
Aktualisht, vijon faza e dytë e transformimit, me punimet për rikonstruksionin dhe përforcimin e godinës historike të Obstetrikës, rinovimin e fasadës së Gjinekologjisë dhe sistemimin e hapësirave të jashtme. Në këtë fazë parashikohet edhe riorganizimi i shërbimeve të rëndësishme, përfshirë Reanimacionin Neonatal, kujdesin për gratë pas lindjes dhe farmacinë spitalore.
Faza e tretë do të përmbyllë transformimin e të gjithë kompleksit, duke krijuar një mjedis spitalor më të sigurt, funksional dhe dinjitoz, në shërbim të grave, nënave, të porsalindurve dhe profesionistëve të shëndetësisë.
Postimi i ministres Klodiana Spahiu:
Shëndeti i gruas, nënës dhe fëmijës në qendër të politikave tona shëndetësore
Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, një kompleks spitalor që po konsolidon një model bashkëkohor shërbimi dhe menaxhimi, ku vijon puna për modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e standardeve të kujdesit për nënën dhe fëmijën.
Me #Buxhetin2027, ky transformim shtrihet edhe në maternitetet e Fierit dhe Shkodrës, përmes investimeve që synojnë kushte më të mira, shërbime më cilësore dhe kujdes të specializuar për nënat dhe pacientët e vegjël.




