Ish-kampioni i botës në peshën “bantamweight” në artet marciale mikse, gjeorgjiani Merab Dvalishvili, u përfshi në një përleshje fizike me rusin Usman Nurmagomedov. Ngjarja ka ndodhur në një hotel në Abu Dhabi, pak ditë para një eventi që do të zhvillohet aty.
Dvalishvili publikoi një video në Instagram, ku tregon se ai dhe një mik i tij u sulmuan nga kampioni i PFL-së, Usman Nurmagomedov. Ky i fundit është vëllai më i vogël i Umar Nurmagomedov, që në janar 2025 është mundur pikërisht nga gjeorgjiani në kafaz (UFC-311).
“Po jepja një intervistë për RAF në hollin e hotelit, kur Usman dhe shokët e tij m’u afruan nga pas dhe filluan të na godisnin mua dhe mikun tim,” shkroi Dvalishvili. “Sigurimi më mbante mua, ndërsa ata vazhdonin të na godisnin me shkelma ndërsa ishim përtokë, si humbës të vërtetë.”
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, shfaqet Usman Nurmagomedov duke u përballur me Dvalishvili, duke e goditur me shuplakë në fytyrë, moment pas të cilit shpërtheu një përleshje masive:
“Çfarë mënyre tinëzare! Ishim vetëm dy veta, unë dhe miku im, këtu në Abu Dabi, kurse Usman Nurmagomedov dhe miqtë e tij u shfaqën si gjarpërinj nga pas,” tha Dvalishvili në videon e tij në Instagram.
“Çfarë luftëtarë jeni ju? Çfarë burri vepron kështu? Nëse doni të flisni apo të ndesheni, le ta bëjmë siç duhet, në mënyrën e vërtetë. Ju erdhët… vetëm sepse ishim dy veta dhe ju ishit të përgatitur. Çfarë dreqin është kjo?”, u shpreh gjeorgjiani.
Rivaliteti mes tyre është ndezur sërish muajt e fundit dhe Dvalishvili theksoi se edhe Umar ishte i pranishëm gjatë përleshjes. “Ne derdhim gjak, ne ndeshemi, ne bëjmë luftë, por ju jeni thjesht njerëz tinëzarë,” tha Dvalishvili.
Usman Nurmagomedov and Merab Dvalishvili BRAWL in Hotel Lobby!







