KOMF i drejtohet Kuvendit me kërkesa - rritja e buxhetit për shërbime sociale, domosdoshmëri për mbrojtjen e fëmijëve, grave dhe familjeve

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF (me 35 organizata anëtare), Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (me 108 organizata anëtare), i janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me kërkesën për adresimin e një çështjeje me rëndësi të veçantë për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve, grave dhe familjeve në Kosovë: sigurimin e financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale.
Në njoftim thuhet se në kuadër të diskutimeve dhe vendimmarrjes për buxhetin e vitit 2027, organizatat konsiderojnë se është thelbësore që financimi i shërbimeve sociale të trajtohet si prioritet publik dhe të reflektohet në vendimet buxhetore të Kuvendit.
“Vrasja tragjike e Arlinda Zekajt, pas raportimeve dhe kërkesave të përsëritura për mbrojtje, nënvizon nevojën urgjente për një reagim institucional efektiv ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Mbrojtja kërkon vlerësim të rrezikut në kohë, masa konkrete për sigurinë e viktimave, koordinim ndërinstitucional dhe qasje të vazhdueshme në shërbime të specializuara, përfshirë strehimin e sigurt, mbështetjen psikosociale dhe ndihmën juridike. Gjithashtu, vrasja e një foshnje tre muajsh në Gjilan nënvizon urgjencën për forcimin e shërbimeve të mbrojtjes së fëmijëve. Identifikimi i hershëm i rrezikut, ndërhyrja në kohë dhe menaxhimi i koordinuar i rasteve duhet të mbështeten nga profesionistë të mjaftueshëm dhe shërbime që udhëhiqen nga interesi më i mirë i fëmijës.
38 Qendra për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata joqeveritare të licencuara janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimeve sociale. Megjithatë, ato përballen me kufizime të mëdha në burime njerëzore dhe financim. Qendrat për Punë Sociale vazhdojnë të jenë të mbingarkuara me trajtimin e rasteve emergjente. Aktualisht, një zyrtar i QPS-së në komunat e mëdha trajton rreth 350 lëndë aktive në vit”, thuhet në njoftim.
Sipas KOMF-it, Organi i Kujdestarisë në shumicën e komunave nuk i ka të angazhuar të pesë profesionistët e kërkuar me ligj dhe nuk është funksional.
“Përveç mungesës së burimeve njerëzore, QPS-të përballen edhe me mungesë të theksuar të kushteve logjistike dhe infrastrukturore.
Në anën tjetër, organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale për fëmijët, gratë dhe familjet në situata të cenueshme, përfshirë fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët dhe gratë viktima të abuzimit dhe dhunës, personat me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, personat që përdorin drogë, si dhe kategori të tjera të qytetarëve në nevojë për mbrojtje, përballen vazhdimisht me rrezikun e ndërprerjes apo mbylljes së shërbimeve për shkak të mungesës së financimit të qëndrueshëm.
Kjo situatë rrezikon të cenojë vazhdimësinë e shërbimeve thelbësore dhe jetike, duke ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien, sigurinë dhe mbrojtjen e tyre”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.
Kërkesat e adresuara drejt deputetëve janë:
• Të alokojnë buxhet të mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale, në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve si pjesë e Grantit të Përgjithshëm të Qeverisë, për punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale (me fokus psikologë klinik) në kuadër të Qendrave për Punë Sociale, me qëllim të plotësimit të kërkesave minimale ligjore për funksionalizimin e Organeve të Kujdestarisë, si dhe për sigurimin e infrastrukturës dhe mjeteve logjistike të nevojshme, me qëllim të mundësimit të ofrimit të shërbimeve cilësore e në kohë për qytetarët. Kostoja shtesë e punësimit e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale në komunat e Kosovës do të ishte rreth 1.68 milionë Euro në vit.
• Të alokojnë buxhet të mjaftueshëm për Qendrat për Punë Sociale, në kategorinë e Pagave dhe Mëditjeve si pjesë e Grantit të Përgjithshëm të Qeverisë, për punësimin e më shumë zyrtarëve të shërbimeve sociale të cilët do të kenë përgjegjësi specifike për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore. Kostoja shtesë e punësimit të dy zyrtarëve në çdo komunë, për rastet e dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje, do të ishte rreth 707,078 Euro në vit për Qeverinë e Kosovës. Kjo shumë merr parasysh që Prishtina, si komuna më e madhe, do të kishte nevojë për katër zyrtarë të shërbimeve sociale. Rekomandojmë që kjo kërkesë të përfshihet nga të gjitha komunat në buxhetet e tyre, për zbatimin e kuadrit ligjor dhe të Protokollit të ri Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale.
• Të rrisin buxhetin e dedikuar për thirrjen publike për organizatat e licencuara për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së tyre. Linja aktuale buxhetore prej 2,500,000 Euro ka mbetur e pandryshuar dhe mbulon të gjitha shërbimet sociale dhe familjare, duke përfshirë strehimoret, shërbimet në familje dhe shërbimet ditore.
“Sipas raportit “Me çfarë kostoje?, të publikuar nga RrGK, vetëm për mbulimin e shpenzimeve bazike të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje nevojiten 2,339,631 Euro.
Ndërkaq, bazuar në të dhënat e organizatave anëtare të KOMF, shërbimet në familje dhe ato ditore aktualisht financohen mesatarisht vetëm në masën 25% të kostove të tyre.
Prandaj, bazuar në nevojat e evidentuara dhe analizat financiare, propozojmë rritjen e buxhetit aktual për thirrjen publike për organizatat e licencuara, nga 2,500,000 Euro në së paku 5,000,000 Euro në vit”, thuhet në komunikatën e KOMF-it. /Telegrafi/


































