Dorëzohet në polici biznesmeni Rinor Konjusha, ishte në kërkim që katër vite për aferën 180 mijë euro në Telekom - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dorëzohet në polici biznesmeni Rinor Konjusha, ishte në kërkim që katër vite për aferën 180 mijë euro në Telekom

    Insajderi
    12 November 2026 - 09:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pas më shumë se katër vjetësh në kërkim nga Policia, pronari i kompanisë “Smart Marketing”, Rinor Konjusha, i dyshuar në rastin e keqpërdorimeve me një kontratë prej 180 mijë eurosh në Telekomin e Kosovës, është paraqitur në Polici. Ai është intervistuar në prani të avokatit dhe më pas është ndaluar për 48 orë.

    Gazeta Insjaderi kishte raportuar ekskluzivisht në vitin 2022 lidhur me këtë rast.

    Konjusha kërkohej në lidhje me hetimet për një marrëveshje të lidhur më 8 nëntor 2018 ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Smart Marketing”, për shfrytëzimin e hapësirave reklamuese, në vlerë prej 180 mijë eurosh.

    Rasti ishte bërë publik në mars të vitit 2022, kur Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, kishte arrestuar disa zyrtarë të Telekomit të Kosovës.

    Ata dyshoheshin se, në bashkëkryerje, kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë zbatimit të marrëveshjes me kompaninë private.

    Në atë kohë, Konjusha, si pronar i “Smart Marketing”, nuk ishte paraqitur në Polici dhe kishte mbetur në kërkim.

    Pas paraqitjes së tij të mërkurën, hetuesit e kanë intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është urdhëruar ndalimi i tij për 48 orë.

    Rasti lidhet me dyshimet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim gjatë viteve 2018–2019.

    Raportimi i Insajderit për zhdukjen e 100 mijë eurove- detaje nga kontrata e dyshimtë

    Gazeta Insajderi kishte siguruar kontratën e plotë nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente publike në Telekomin e Kosovës.

    Telekomi i Kosovës, kishte konfirmuar për Insajderin, se kontrata është nënshkruar në muajin tetor të vitit 2018. Kjo kontratë, siç mëson gazeta nuk ka shkuar përmes procesit të tenderimit.

    Sipas kontratës, marrëveshja është nënshkruar për t’i shfrytëzuar hapësira reklamuese dhe për vendosjen e adapterëve për mbushje të telefonave në pika të ndrushme në territorin e Kosovës.

    Në pikën 2.2 të kësaj kontrate thuhet se: Partneri mban charger( adaptera) për ri-mbushje të aparateve telefonik, me lokacione të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

    Po ashtu në pikën 2.3 thuhet se: Partneri i jep Telekomit në shfrytëzim hapësirë për reklama, kundrejt pagesës se dakorduar prej 180.000 euro ( për një vit)

    Përmes kësaj kontrate janë rregulluar edhe si duhet të shfaqen reklamat e Tekelomit. Në pikën 3.1 thuhet se:  Partneri duhet të shfaqë/printoj dhe vendos reklamat që ia jep Telekomi dhe pika 3.2 Reklamat i promovojnë produktet dhe shërbimet e Telekomit sipas kërkesës së saj.

    Kjo kontratë është nënshkruar nga ish U.D  kryeshefi ekzekutiv, Trim Musliu me datën 8.11.2018.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark