Të dërguarit amerikanë, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner, kanë mbërritur në Moskë për t'u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, pas dy ditësh bisedime në Abu Dabi, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës diskutuan mundësitë për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kjo është vizita e dhjetë e Ëitkoff në Rusi për bisedime me Putinin, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje paqeje. Ëitkoff dhe Kushner janë ndër negociatorët kryesorë amerikanë për përfundimin e luftës, të cilën presidenti amerikan, Donald Trump, e ka vendosur ndër prioritetet e politikës së tij të jashtme që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025. Në aeroportin Vnukovo të Moskës ata u pritën nga Kirill Dmitriev, zyrtar i lartë rus i përfshirë në bisedimet me Uashingtonin. Pas takimit me Putinin, dy të dërguarit pritet të udhëtojnë për në Dublin, ku do të takohen me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ka mbërritur më herët në Irlandë për një takim me udhëheqësit evropianë. Bisedimet e zhvilluara më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi duket se kanë sjellë pak rezultate. Palët po përgatiten për një shkëmbim të madh të të burgosurve, por nuk ka pasur ndonjë përparim të dukshëm drejt një marrëveshjeje paqeje.