Strehimi social, Ibrahimaj: Kredi pa interes e subvencion qiraje për studentët dhe familjet e reja

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”, që parashikon zgjerimin e skemave të strehimit dhe krijimin e instrumenteve të reja financiare për studentët, çiftet e reja, familjet dhe profesionistët.
Projektligji parashikon kredi për blerjen e banesave me interes zero, mekanizma garancie për financimin e parapagimit, subvencionim të qirasë për studentët dhe profesionistët, si dhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje.
“Ne kemi vendosur ta zgjerojmë politikën tonë me strehimin e përballueshëm dhe duam që më shumë familje të kenë një mundësi që i përshtatet të ardhurave dhe nevojave të tyre”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Duke iu referuar skemës së kredive me interes zero, ministrja solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh me afat 30-vjeçar, ku kësti mujor do të ishte rreth 17 mijë lekë, kundrejt 32 mijë lekëve me një interes 5%.
“Pra, janë 15.000 lekë në muaj të cilat nuk do të shkojnë për blerjen e një banese, por do të shkojnë më shumë në buxhetin e familjes shqiptare për të përballuar kostot e tjera të jetesës dhe për të përballuar blerjet e produkteve të shportës”, theksoi Ibrahimaj.
Ministrja Ibrahimaj informoi se për studentët që ndjekin studimet në nivelin master dhe profesionistët, parashikohet subvencionimi i gjysmës së qirasë, sipas çmimeve të miratuara nga këshillat bashkiakë. Ndërsa programi i qirasë me të drejtë blerjeje, theksoi ajo, do t’u mundësojë familjeve që një pjesë e pagesave mujore të qirasë të llogaritet në uljen e çmimit të blerjes së banesës.
Ministrja tha gjithashtu se projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të bashkohen burime nga buxheti i shtetit, sektori privat dhe të ardhura të tjera të ligjshme. Fondi do të financojë programet e strehimit dhe do të mundësojë riinvestimin e të ardhurave nga projektet e banimit në zhvillimin e programeve të reja.
Një tjetër element, sipas saj, është modeli 30-40-30 për ndërtimin e lagjeve të integruara, ku 30% e banesave do t’i dedikohen strehimit social, 40% strehimit të përballueshëm dhe 30% do të jenë për shitje ose qira në tregun e lirë.
Duke iu referuar zbatimit të ligjit ”Për strehimin social” që prej vitit 2018, Ibrahimaj bëri të ditur se nga programet ekzistuese kanë përfituar 31 mijë familje shqiptare, ose rreth 100 mijë qytetarë. Mbi 14 mijë familje janë mbështetur për pagesën e qirasë, mbi 7 mijë kanë përfituar kredi të buta, janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për mbi 6 mijë familje të tjera.
“Do të mbështesim më shumë familje dhe do të krijojmë një mundësi më shumë për familjet e reja, për profesionistët e rinj, me qëllim që ata të zgjedhin dhe të jenë të sigurt për jetesën e tyre në Shqipëri”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









