5 gola dhe 9 asistime, skuadra gjermane monitoron talentin që kërkohet nga Shqipëria

Lutfi Dalipi po kalon një sezon mjaft pozitiv me fanellën e Vaduzit, ku aktivizohet në formë huazimi. Mesfushori me tipare sulmuese është kthyer në një prej futbollistëve që po tërheqin vëmendjen në futbollin zviceran, falë paraqitjeve dhe kontributit të tij në fazën ofensive.
Shifrat e 20-vjeçarit flasin vetë: 5 gola dhe 9 asistime në 13 ndeshje kampionati, statistika që kanë tërhequr interesin edhe të klubeve europiane. Mes skuadrave që po monitorojnë zhvillimin e tij në Zvicër është edhe Leipzig.
Përveç paraqitjeve në nivel klubesh, Dalipi është gjithashtu në qendër të vëmendjes për të ardhmen e tij ndërkombëtare. Futbollisti, i cili ka shtetësi zvicerane dhe portugeze, ndodhet mes mundësisë për të përfaqësuar Shqipërinë ose Kosovën në nivelin e ekipit të parë.
Aktualisht, Shqipëria përmes FSHF-së raportohet se është në një pozicion më të favorshëm për të siguruar shërbimet e tij, ndërsa edhe Kosova po punon për ta bindur talentin që t’i bashkohet përfaqësueses së saj.
Dalipi është pjesë e Zvicrës U-21, ndërsa vendimi përfundimtar për kombëtaren që do të përfaqësojë në të ardhmen pritet të merret në vijim.
Një talent që po rritet në futbollin europian dhe që mund të kthehet në një përforcim të rëndësishëm për cilëndo përfaqësuese që arrin ta bindë.




