Samiti i Komunitetit Politik Europian, Kryeministri Rama takohet me Zelenskyn në Dublin

Kryeministri i vendit, Edi Rama është takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Dublin, në kuadër të takimit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian.
Gjatë qëndrimit në Dublin, Rama është shprehur për nevojën e një qasjeje më aktive diplomatike të Evropës ndaj Rusisë. Ai ka kritikuar faktin që diplomacia, sipas tij, i është lënë të tjerëve, ndërsa vendet evropiane janë përqendruar kryesisht te mbështetja ushtarake për Ukrainën.
“Ndërsa e mbështesim Ukrainën deri në fund, duhet të zhvillojmë edhe bisedime”, deklaroi Rama më herët gjatë një interviste për gazetarët, duke theksuar se Rusia do të mbetet pjesë e realitetit politik dhe të sigurisë së kontinentit.
Takimi i zhvilluar në Dublin mbledh dhjetëra liderë evropianë, ndërsa lufta në Ukrainë dhe siguria e kontinentit janë ndër çështjet kryesore të diskutimeve.




