Komisioni i Garave në Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka publikuar vendimet disiplinore për xhiron e tetë të Superligës, ku klubet dhe basketbollistët janë ndëshkuar me gjoba financiare dhe masa të tjera disiplinore.

Në total, dënimet e shqiptuara arrijnë shumën prej 3 mijë e 50 eurosh, me vëmendjen kryesore te incidentet e regjistruara në ndeshjet KB Peja – KB Prishtina dhe KB Golden Eagle Ylli – KB Bashkimi.


Dënimin më të rëndë për klubet e ka marrë KB Peja, e cila është gjobitur me 1,000 euro për lëshime në organizimin e ndeshjes ndaj Prishtinës dhe hedhjen e mjeteve piroteknike. Sipas raportit, një petardë kishte goditur në shpinë një pjesëtare të stafit të skuadrës mysafire. Gjoba është shqiptuar në bazë të nenit 51.16 të Propozicioneve të Garave.

Ndëshkim ka marrë edhe basketbollisti i Prishtinës, Malcolm Armstead. Ai është gjobitur me 400 euro dhe është suspenduar për një ndeshje, për shkak të provokimeve ndaj shikuesve vendas në çerekun e katërt të takimit, sipas informatorit të ndeshjes. Masa është marrë në përputhje me nenin 52.10.

Ndërkohë, 700 euro gjobë i janë shqiptuar KB Golden Eagle Ylli për incidentet në ndeshjen ndaj KB Bashkimi. Takimi u karakterizua me ndezjen e mjeteve piroteknike, përkatësisht tymuesve, nga tifozët vendas, gjë që tensionoi situatën dhe detyroi ekipet të largoheshin në dhomat e zhveshjes.

Komisioni i Garave ka ndëshkuar gjithashtu disa basketbollistë të të dy skuadrave për sjellje josportive dhe simulime.

Nga Golden Eagle Ylli, Artin Gashi dhe Khalil Shabazz janë gjobitur me nga 100 euro, ndërsa Connor Withers dhe LaQuincy Rideau me nga 50 euro.

Në anën tjetër, nga Bashkimi, Adrio Bailey dhe Valmir Kakruki janë ndëshkuar me nga 100 euro, kurse Shannon Shorter me 50 euro.

Gjobë prej 400 eurosh ka marrë edhe KB Vëllaznimi, në bazë të nenit 50.17 të Rregullores së Garave.

FBK ka bërë të ditur se palët e pakënaqura me vendimet e Komisionit të Garave kanë të drejtë ankese në Komisionin e Ankesave dhe Arbitrazhit brenda 24 orëve nga pranimi i vendimit, kundrejt depozitimit të shumës prej 500 eurosh./Telegrafi/