Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një dokument prej më shumë se 100 faqesh, ku parashtron një sërë kërkesash procedurale në kuadër të procesit gjyqësor ndaj tij.
Në dokumentin e depozituar më 12 nëntor 2026, ish-presidenti kundërshton mënyrën se si SPAK ka interpretuar provat gjatë hetimit dhe kërkon administrimin e dokumenteve dhe informacioneve shtesë për disa prej çështjeve që lidhen me akuzat ndaj tij.
Një nga kërkesat kryesore lidhet me lobimin e LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta kërkon që GJKKO t’i drejtohet Departamentit Amerikan të Drejtësisë për të marrë informacion mbi marrëveshjen mes LSI-së dhe kompanisë GSIS, pagesat e kryera, shërbimet e ofruara dhe personat që kanë autorizuar shpenzimet. Ai kërkon gjithashtu sqarime nëse gjatë zbatimit të kontratës janë përdorur fonde të paligjshme.
Meta kundërshton edhe ekspertizën financiare të administruar gjatë hetimeve paraprake. Në këtë kuadër, ai kërkon informacion nga ILDKPKI-ja për mënyrën se si janë trajtuar ndër vite dietat dhe të ardhurat e zyrtarëve publikë në deklarimet e pasurisë.
Në dokumentin e tij kërkohet gjithashtu marrja në pyetje e dëshmitarëve, si dhe përjashtimi i disa deklarimeve, të cilat, sipas pretendimeve të mbrojtjes, nuk janë administruar në përputhje me rregullat procedurale.
Një tjetër çështje e ngritur nga ish-presidenti lidhet me monitorimin e takimeve të tij me avokatin. Meta kërkon ndërhyrjen e gjykatës për të garantuar konfidencialitetin e komunikimit me mbrojtësin ligjor, duke pretenduar se mbikëqyrja cenon të drejtën e tij për një mbrojtje efektive.
Në përfundim, Meta i cilëson interpretimet e prokurorisë si arbitrare dhe joobjektive, duke kërkuar që pretendimet dhe provat e paraqitura nga mbrojtja të merren në konsideratë gjatë procesit gjyqësor.
E PLOTË – KERKESAT-PROCEDURIALE-12-NENTOR-2026_
