
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike i ka hapur rrugë miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për strehimin social”, duke votuar me 8 vota pro projektligjin që synon të lehtësojë aksesin në banesa për familjet, çiftet e reja, studentët dhe profesionistët. Paketa e re e masave sjell disa skema mbështetëse, mes të cilave kredi me interes zero për blerjen e banesës, subvencionim të gjysmës së qirasë dhe një mekanizëm që u mundëson qytetarëve të përdorin një pjesë të qirasë së paguar si vlerë për blerjen e banesës. Gjatë prezantimit në komision, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se synimi është zgjerimi i alternativave të strehimit, duke krijuar mundësi financiare që përshtaten me të ardhurat e familjeve.
Kredi pa interes dhe këste më të ulëta mujore
Një nga risitë kryesore është financimi me kredi me interes 0% për blerjen e banesave. Për të ilustruar ndikimin e kësaj skeme, Ibrahimaj solli shembullin e një kredie prej 6 milionë lekësh, me afat shlyerjeje 30-vjeçar. Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga ministrja, kësti mujor në rastin e një kredie pa interes do të ishte rreth 17 mijë lekë, ndërsa me një normë interesi 5% do të arrinte në rreth 32 mijë lekë. Kjo do të përkthehej në një kursim prej afro 15 mijë lekësh në muaj për familjet përfituese.
Gjysma e qirasë mbulohet për studentët dhe profesionistët
Një tjetër masë e parashikuar në projektligj është subvencionimi i 50% të qirasë për studentët që ndjekin studimet master, si dhe për profesionistët. Masa do të zbatohet duke iu referuar çmimeve të miratuara nga këshillat bashkiakë, me synimin për të ulur barrën financiare të strehimit për këto kategori.
Nga qiramarrës në pronar banese
Projektligji prezanton edhe programin e qirasë me të drejtë blerjeje. Përmes kësaj skeme, një pjesë e shumës së paguar çdo muaj për qiranë do të llogaritet në çmimin përfundimtar të banesës, duke krijuar mundësinë që qiramarrësit të bëhen pronarë. Parashikohen gjithashtu mekanizma garancie për të lehtësuar sigurimin e financimit të parapagimit të banesave.
Model i ri për ndërtimin e lagjeve
Ndryshimet ligjore përfshijnë edhe modelin 30-40-30 për zhvillimin e lagjeve të integruara. Sipas kësaj formule, 30% e banesave do të rezervohen për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm, ndërsa 30% do të jenë pjesë e tregut të lirë, për shitje ose dhënie me qira. Për të mbështetur financiarisht këto politika, parashikohet ngritja e Fondit për Strehimin dhe Kohezionin Social, ku do të kontribuojnë buxheti i shtetit, sektori privat dhe burime të tjera të ligjshme.
31 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit social
Gjatë raportimit në komision, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se që prej vitit 2018, nga programet e strehimit social kanë përfituar rreth 31 mijë familje, ose afro 100 mijë qytetarë. Prej tyre, mbi 14 mijë familje janë mbështetur përmes subvencionimit të qirasë, më shumë se 7 mijë kanë përfituar kredi të buta, ndërsa janë ndërtuar mbi 1 mijë banesa sociale. Projektligji u miratua në komision me 8 vota pro. Gjatë mbledhjes, kryetari Ulsi Manja komentoi edhe mungesën e deputetëve të opozitës në votim, duke shprehur qëndrimin se ata duhej të ishin bërë pjesë e vendimmarrjes për një nismë që lidhet me mbështetjen e qytetarëve në nevojë për strehim. Manja theksoi se projektligji mund të plotësohet me amendamente dhe propozime të tjera përpara se të kalojë për miratim përfundimtar në Kuvend.
