Pas publikimit në JOQ, nis rikonstruksioni i godinës së ish-Komunës Otllak

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.11.2026, 15:31

Denoncimi i një qytetari nga Otllaku i Beratit, i publikuar në JOQ Albania për gjendjen e degraduar të godinës së ish-komunës, ka sjellë reagimin e institucioneve. Pas publikimit të shqetësimit dhe pamjeve që tregonin ambientet e lëna në harresë, Bashkia Berat ka ndërhyrë për rikonstruksionin e godinës.

Ka qenë vetë qytetari që i është rikthyer redaksisë së JOQ Albania për të ndarë lajmin e mirë, duke dërguar edhe pamje nga ndërhyrjet që po kryhen në godinë. Ai falënderon redaksinë për publikimin e denoncimit dhe për faktin që shqetësimi i banorëve nuk mbeti vetëm një ankesë pa përgjigje.

Kujtojmë se në denoncimin e tij të parë, qytetari ngriti shqetësimin për braktisjen e godinës së ish-Komunës Otllak pas reformës administrative. Sipas tij, një pjesë e madhe e shërbimeve ishin zhvendosur ose mbyllur, ndërsa banorët e shtatë fshatrave detyroheshin të udhëtonin drejt qytetit të Beratit edhe për dokumente dhe shërbime bazë.

Në pamjet e atëhershme, godina shfaqej në gjendje të amortizuar dhe pa mirëmbajtjen e nevojshme, ndërsa qytetari kërkonte që institucionet përgjegjëse të merrnin masa për rikthimin e saj në funksion.

Tashmë, pas publikimit në JOQ, situata ka marrë një drejtim tjetër. Edhe pse mbetet për t'u parë se si do të përfundojnë punimet dhe nëse godina do t'u rikthehet banorëve në shërbim, ndërhyrja për rikonstruksionin e saj është një hap konkret pas shqetësimit të bërë publik.

Ky rast tregon edhe një herë rëndësinë e denoncimeve qytetare. Kur zëri i banorëve dëgjohet dhe problemet bëhen publike, institucionet nuk mund të bëjnë sikur nuk shohin.

JOQ Albania do të vijojë të jetë hapësira ku qytetarët ngrenë shqetësimet e tyre, por edhe ku rikthehen për të ndarë me të gjithë rastet kur problemet marrin zgjidhje.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit