Bayern Munich po e monitoron me vëmendje zhvillimin e futbollistit me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda, të cilin drejtuesit e klubit bavarez e shohin si një lojtar me potencial për t’u bërë pjesë e skuadrës në të ardhmen.

Klubi gjerman e vlerëson profilin e 21-vjeçarit dhe po përcjell me interes paraqitjet e tij, megjithëse deri më tani nuk ka pasur negociata apo kontakte konkrete për transferimin e tij.


Ajo që e bën Grudën veçanërisht interesant për Bayernin është aftësia për të luajtur në disa pozicione ofensive. Ai mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit, por edhe në rolin e numrit 10, duke i ofruar trajnerit më shumë alternativa në repartin ofensiv.

Aktualisht, Gruda është ende futbollist i Brightonit, por situata e tij kontraktuale lidhet edhe me Leipzigun.

Në rast se realizon një numër të caktuar paraqitjesh, ai do të bëhet automatikisht lojtar i klubit nga Leipzig.

Për këtë arsye, në rast se Bayern Munich vendos të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij, fillimisht do të duhet të kontaktojë drejtuesit e Leipzigut.

Për momentin, transferimi i Grudës nuk është një objektiv i menjëhershëm për bavarezët, por një projekt për të ardhmen.

Drejtuesit e klubit dëshirojnë të vazhdojnë ta përcjellin zhvillimin e tij dhe besojnë se ai ka potencialin e nevojshëm për të luajtur një ditë në nivelin e Bayernit./Telegrafi/