Sadleva e Burgjeve i bën “karshillëk” Veliajt dhe i shkon “në bazë”
Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, ka zhvilluar një vizitë inspektuese në burgun e Fierit, ku mbahet Erion Veliaj, duke e cilësuar institucionin si model për infrastrukturën, kushtet dhe trajtimin e të dënuarve. Vizita vjen në një moment kur ish-kryebashkiaku i Tiranës denoncon vazhdimisht kushtet e qëndrimit dhe mungesën e kujdesit të duhur mjekësor.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, IEVP Fier ofron kushte që synojnë përmbushjen e standardeve evropiane, duke ndërthurur sigurinë me trajtimin dinjitoz, rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar.
Në deklaratën zyrtare theksohet se në këtë institucion i kushtohet rëndësi edhe arsimimit, zhvillimit të kurseve profesionale dhe ushtrimit të besimit fetar nga të burgosurit.
Gjatë vizitës janë inspektuar gjithashtu kushtet teknike për zhvillimin e seancave gjyqësore online me Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Megjithatë, në njoftimin e institucionit nuk ka asnjë reagim ndaj pretendimeve të Erion Veliajt për trajtimin që po merr në këtë burg.
Ish-kryebashkiaku u transferua nga burgu i Durrësit në atë të Fierit më 28 tetor, me vendim të Sadleva Bodos, menjëherë pas emërimit të saj në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Veliaj e ka cilësuar këtë transferim si një formë “internimi dhe keqtrajtimi”, duke pretenduar se pas vendimit qëndron një urdhër politik i kryeministrit Edi Rama.
Ai ka ngritur gjithashtu shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore, duke denoncuar një dëmtim në këmbë dhe vonesa në marrjen e trajtimit të nevojshëm mjekësor.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Burgjeve, përmes njoftimit për inspektimin e fundit, e përshkruan IEVP Fier si një institucion model, ku siguria, respektimi i të drejtave dhe rehabilitimi janë shtyllat kryesore të funksionimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



