“Yuri Kim armike e përbetuar e Shqipërisë dhe në shërbim të Serbisë”, Meta akuzon amerikanët në gjyq dhe mbrohet nga Kryemadhi

12/11/2026 16:39

Ish-presidenti Ilir Meta, i paraburgosur për tre akuza, përsëriti versionin e tij se hetimi i SPAK-ut ndaj tij është ndikuar nga Charles McGonigal dhe Yuri Kim.

Ish-ambasadoren amerikane Meta e konsideroi “armike të përbetuar të Shqipërisë dhe në shërbim të Serbisë”. Ish-bashkëshortja e tij, e cila ndodhet me të në të njëjtën dosje, thotë se Meta po tregon të vërtetën.

Duke qëndruar te ideja e komplotit, Ilir Meta shtoi se, gjatë kohës që ishte president, ishte kërcënuar nga pesë përfaqësues të ambasadave që të mos dekretonte Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese, por një emër tjetër, Arta Vorpsi, në atë kohë pjesë e konfliktit. Kryemadhi, pavarësisht se ish-bashkëshorti përdori distancën e politesës duke e quajtur “zonja”, sërish konfirmoi denoncimin e tij.

“U kërcënua në mënyrë të njëanshme duke përdorur instrumentet e ambasadave që jetonin në Shqipëri ose funksiononin në Shqipëri, dhe kjo është e vërtetë faktikisht dhe informimin e këtij mesazhi e kam bërë unë në departament të shtetit”, u shpreh Kryemadhi.

Gjatë ditës, Monika Kryemadhi mbylli parashtrimet e saj, duke kundërshtuar provat për lobimin me G.S.I.S. dhe duke kërkuar ekspertim financiar të dokumenteve.

Parashtrimet e Kryemadhit kanë nisur në korrik dhe ajo e ka kryer personalisht deklarimin e tyre.

Meta kërkoi të administroheshin si prova të reja edhe vendimi i fajësisë dhe dënimit të Kastriot Ismailajt, si dhe kërkoi marrjen e dëshmive të tjera në Departamentin e Drejtësisë.

“U rikonfirmua i njëjti qëndrim ndaj zotit Meta nuk ka asnjë provë dhe asnjë fakt penal, nuk është sekuestruar asnjë qindarkë e paligjshme dhe asnjë metër katror pasuri. Pra, kemi të bëjmë thjesht me një proces politik, të diktuar nga Edi Rama, i cili e mban qëllimisht në paraburgim, duke e vendosur në kushtet e persekutimit politik“, deklaroi Tedi Blushi.

Seanca e radhës mbahet më datë 26 nëntor dhe do të jetë radha e SPAK-ut të deklarojë kundërshtimet, si dhe do të vendoset se si do të vijojë rendi i gjykimit, me administrimin e provave shkresore apo thirrjen e dëshmitarëve.

Top Channel