
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka paralajmëruar shtetasit amerikanë që ndodhen në vend për protestat që po zhvillohen në Prishtinë dhe që pritet të vazhdojnë edhe gjatë javëve në vijim. Në njoftimin e publikuar të enjten, më 12 nëntor, misioni diplomatik bën të ditur se pjesëmarrësit pritet të mblidhen kryesisht në qendër të kryeqytetit.
Tubimet mund të zgjerohen me shpejtësi edhe në zonat përreth, pa paralajmërim të mjaftueshëm, sipas Ambasadës amerikane në Kosovë. Sipas Ambasadës, protestat dhe tubimet e mëdha mund të nisin në mënyrë paqësore, por të përshkallëzohen shpejt pa paralajmërim. Kjo mund të shkaktojë pengesa në trafik, në shërbime dhe, në disa raste, mbyllje rrugësh.
Në orët para dhe gjatë protestave mund të ketë shtim të pranisë policore, mbyllje rrugësh, devijime të qarkullimit dhe vështirësi në trafik, thekson njoftimi. Personeli i Ambasadës në Prishtinë, thuhet në të, këshillohet gjithmonë që të shmangë protestat dhe tubimet e mëdha. Qytetarëve që ndodhen pranë zonave ku zhvillohen protestat në Prishtinë u bëhet thirrje të jenë të kujdesshëm dhe t’i japin përparësi sigurisë personale. Mes rekomandimeve është përcjellja e mediave lokale për informacione të përditësuara, si dhe përditësimet e vetë Ambasadës.
